
Forcat speciale të policisë kanë kryer disa kontrolle të befasishme në banesat e 3 gjyqtarëve të Apelit të Krimeve të Rënda që dhanë vendimin për pranimin e gjykimit të shkurtuar që e redukton në 25 vjet burg dënimin për Dritan Dajtin.
Kontrollet janë bërë në banesën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Vlorë, Skënder Damini; Petrit Aliajt, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe Aleks Nikolla, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkodër.
Urdhri për kontrollin shtëpive të gjyqtarëve është dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda pasi ata dyshohen për korrupsion.
Në një njoftim në mesditë, Policia e Shtetit bëri të ditur se gjatë kontrolleve janë gjetur mijëra euro si edhe sasi municioni. D
"Duke iu përgjigjur interesimit shumë të madh të medias, Policia e Shtetit konfirmon aksionin e ndërmarrë nga forcat speciale, në zbatim të urdhrit nr. 89, datë 14 shkurt 2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për të ushtruar kontroll në banesat e tre gjyqtarëve, të cilët zbutën dënimin e Dritan Dajtit. Operacioni policor vazhdon edhe në këto momente, por mund të konfirmojmë se deri tani janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera, të cilat do të administrohen nga organet ligjzbatuese", thuhet në njoftim.
Tre ditë më parë, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dorëzoi në KLGJ kërkesën për fillimi i hetimit disiplinor për gjyqtarët.
Ngjarja për të cilën akuzohet Dritan Dajti ka ndodhur më 7 gusht 2009 rreth orës 13:50, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës pranë pistës së vogël “Iliria”, ku u qëlluan me armë zjarri katër punonjësit e policisë: Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj.



