
I ftuar në studion e “Zgjohu me MCN” ishte Sheki Useini, mjeshtër meditimi, i cili ndau këshilla mbi rëndësinë e meditimit, të mirat që sjell ai, si dhe mënyrat për të larguar energjinë negative.
Ai foli gjithashtu për vetëbesimin, një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve të shëndetshme dhe mirëqenies emocionale.
Sipas tij, krahasimi me të tjerët është një nga faktorët kryesorë që dëmton vetëbesimin.
Ne jemi mësuar të mos kënaqemi me veten, por të mundohemi të jemi gjithmonë të mirë për të tjerët, të ndjekim rregullat dhe pritshmëritë e tyre.
Shpesh na kanë ndaluar të ndjejmë kënaqësi me veten, ndërsa vetëbesimin unë e shoh si aftësinë për të qenë i kënaqur me atë që je.
Krahasimi çon në vuajtje të pashmangshme. Duke u krahasuar vazhdimisht, ushqejmë ndjesinë se jemi të pamjaftueshëm, të paplotësuar. I shohim të tjerët si më të mirë se ne dhe kjo na ul veten.
Ky model shpesh nis në fëmijëri. Prindërit, duke bërë më të mirën që dinë, e krahasojnë fëmijën për ta motivuar, por në fakt dëmtojnë vetëvlerësimin e tij.
Në vend të krahasimit, duhet t’i themi fëmijës: ‘Bëre maksimumin tënd, kjo është e mjaftueshme’, pa e krahasuar me askënd.
Useini shtoi se shumë njerëz rriten duke u munduar të kënaqin të tjerët edhe në moshë të rritur, duke e lënë veten pas dore.
Ai sugjeron të dëgjojmë intuitën dhe zërin tonë të brendshëm, përmes qetësisë.
Pasoja e kësaj është një jetë e pakënaqur, e paplotësuar dhe shpesh e mbingarkuar emocionalisht.
Duhet të ndryshojmë këtë program të brendshëm. Duhet të fillojmë të njohim veten, të zbulojmë potencialin që kemi, të dëgjojmë intuitën dhe zërin tonë të brendshëm. Për këtë na nevojitet qetësia.
Ekzistojnë mbi 100 teknika meditimi, por të gjitha kanë të njëjtin destinacion, qetësinë, e cila është gjendja jonë natyrale.
Qetësia është gjuha përmes së cilës komunikojmë me veten. Por 98% e njerëzve nuk e dëgjojnë zërin e brendshëm, zërin që të tregon kush je, pse je këtu dhe çfarë kërkon jeta prej teje.
Gjërat na ndodhin sipas besimit tonë. Kur çdo gjë na duket e errët, kur mbyllet një derë, ne shpesh humbim qetësinë.
Por pikërisht në ato momente kaotike, duhet ta ruajmë qetësinë tonë. Vetja jonë ka nevojë për ne më shumë se kurrë.



