Qeveria nisi sot dëgjesën e parë publike për rihapjen e basteve on-line. Lidhur me këtë çështje gazetari sportiv Gerti Çarçani, i ftuar në studion e lajmeve të MCN Tv tha se ky vendim është iniciuar kryesisht nga sporti për shkak të situatës financiare në të cilën ndodhet.
Duke vijuar shpjegimin e tij Çarçani tha se këto katër vite kanë gëluar bastet online dhe se vendimi i qeverisë asokohe përveç se solli largimin e 8 mijë personave nga puna nuk dha asnjë efekt.
Përpos faktit që ky vendim vjen edhe si një zë bazik kryesisht i iniciuar nga sporti dhe situata financiare që është në nivel mediokër, në këto 4 vite kanë gëluar bastet online, nuk dha asnjë efekt, u hoqën pikat e basteve, ikën 8 mijë veta nga puna. Nuk pati luftë të frikshme të basteve online. Ka pasur dhe një gropë në buxhetin e shtetit, pasi kompanitë nuk paguanin tatime.
E përmendi Rama që nuk kemi të bëjmë me rihapje fizike, por do të riformalizohet tregu online që do të ketë para në buxhet dhe nga kjo pikë do mendohet të përfitojë dhe sporti.
Çarçani tha se nuk e di saktësisht se si do të funksionojë skema që do përdorë qeveria, por risolli në vëmendje deklaratën e Ramës teksa tha sot se licensa do i jepet kontraktorëve ndërkombëtarë.
Nga 1 janari i 2019 qarkullonin 500 milionë euro që luheshin baste në Shqipëri. Ishte një qarkullim i madh. Skemën nuk e di, natyrisht do të kontraktohen disa kompani, pasi nuk mund ta bëjnë një, do të jepen 3-4 licensa. Rama tha do i japim licensën kontraktorëvë ndërkombëtarë.
Do të jepen disa licensa që mund të marrin dhe kontraktorë shqiptarë. Nuk do të thotë që me formalizimin e tregut do të mbyllet tregu i zi, ai do të jetë prezent. Në kohën kur shteti e legalizon bëhet me agresiv ndaj tregut të zi.
Më tej, gazetari tha se sporti e sheh këtë mënyrë si të vetmin korridor financimi të shpejtë dhe se futbolli e kërkon legalizimin e basteve pasi është në një nivel financimi mediokër.
Sporti do e kërkojë se e sheh si të vetmin korridor financimi të shpejtë. Futbolli e kërkon sepse janë në një nivel financimi mediokër, pjesa e të ardhurave përmes basteve është më e shpejtë. Pas formalizmit mbetet në vullnetin e kryeministrit që sa nga lekët që do futen në arkën e shtetit do marrin federatat. Do të jetë e ardhur plus për federatat.



