Mijëra qytetarë dolën në rrugët e qyteteve të Europës Jugore ditën e djeshme për të protestuar kundër mbipopullimit të turitëve. protestuesit përdorën pistoleta me ujë ndaj dyqaneve dhe lëshuan tym në Barcelonë, ku u mbajt protesta kryesore.
"Pushimet tuaja, mjerimi im", brohorisnin protestuesit në rrugët e Barcelonës, ndërsa mbanin pankarta me mesazhe si "turizmi masiv vret qytetin" dhe "lakmia e tyre na sjell shkatërrim".
Protestat u zhvilluan në kuadër të aleancës SET -"Sud d'Europa contra la Turistització" që bashkoi grupe në Spanjë, Portugali dhe Itali.
Protestuesit u shprehën se turizmi i pakontrolluar po rrit çmimet e banesave dhe po detyron banorët të largohen nga lagjet e tyre.
Qyteti i Barcelonës, me 1.6 milionë banorë, priti 26 milionë turistë vitin e kaluar.
Autoritetet thanë se rreth 600 persona morën pjesë në protestë, ku disa prej tyre qëlluan me pistoleta uji, lëshuan tym me ngjyra dhe vendosën stikera me shkrimin “Mbrojmë lagjen – turist, shko në shtëpi” në dyqane dhe hotele.
Protesta të ngjashme u mbajtën në qytete të tjera të Spanjës, përfshirë Ibizën, Malagën, Palmën e Majorkës, San Sebastianin dhe Granadën.
Në Itali, demonstratat u zhvilluan në qytete si Genova, Napoli, Palermo, Milano dhe Venecia, ku banorët kundërshtojnë ndërtimin e dy hoteleve të reja me rreth 1,500 shtretër të rinj.
Në Barcelonë, qeveria vendore ka njoftuar më herët se planifikon të ndalojë me ligj dhënien me qira të apartamenteve për turistë deri në vitin 2028, për ta bërë qytetin më të jetueshëm për banorët.
"Jam shumë e lodhur duke qenë një bezdi në qytetin tim. Zgjidhja është një reduktim radikal i numrit të turistëve në Barcelonë dhe një model tjetër ekonomik që sjell mirëqenie për qytetin," deklaroi për Reuters protestuesja Eva Vilaseca, 38 vjeç, duke hedhur poshtë argumentin se turizmi sjell punësim dhe pasuri.
Ndërkohë, shpenzimet e turizmit ndërkombëtar në Europë pritet të rriten me 11% këtë vit, duke arritur në 838 miliardë dollarë, me Spanjën dhe Francën në krye si destinacionet më të kërkuara.



