
Për Tanian dhe djalin e saj 17-vjeçar, Lev, me sindromën Down, koha ka ndalur më 24 shkurt: për shtatë ditë, që nga fillimi zyrtar i luftës në Ukrainë, ku ata kanë mbetur të bllokuar në shtëpinë e tyre në Kiev, pa rrugë dalje.
Është e pamundur ta çosh Levin në një strehë, pasi zhurmat, turmat, errësira, i ftohti, netët e gjumit në tokë, do ta destabilizonin shumë.
Bashkë me ta është edhe gjyshja mbi të tetëdhjetat. Strehë për ta gjatë sulmeve nga forcat ruse, bëhet një cep i korridorit, ndërsa bombardimet, thotë Tania për ‘ANSA’, po afrohen gjithnjë e më shumë.
Linja telefonike është e parregullt, por Tania është e gatshme të nisë apelin e saj gjatë rrëfimit për median italiane: “Ndodhemi në luftë të plotë, situata sa vjen e përkeqësohet dhe shpërthimet po afrohen, mendoj se nuk janë më larg se 20 km, por qyteti po reziston. Kemi frikë, shpresoj ta ndalojmë këtë luftë absurde”.
Ajo është e shqetësuar për nënën e saj e moshuar dhe mbi të gjitha për Lev.
“Djali im, si shumë persona të tjerë me aftësi të kufizuara, po përjeton një makth të tmerrshëm. Për fëmijët me sindromën Down, rutina e përditshme është e rëndësishme dhe iu jep siguri. Tani bota e tij është shembur. Jetojmë të burgosur në shtëpi, sepse është e pamundur të shkosh në streha. Për të do të ishte shumë e vështirë, ai nuk do ta duronte atë situatë dhe nuk do ta përballonte dot, është i tmerruar. Lev vazhdimisht më pyet se kur do të përfundojë dhe kur do të mund të shohë përsëri miqtë e tij. Ai mezi pret 16 marsin, ditëlindjen e saj të 18-të. Kam frikë t’i them se deri më sot nuk e di se ku do të jemi atë ditë. Jemi me fat, pavarësisht gjithçkaje. Një ditë para luftës, miqtë e mi europianë më paralajmëruan të grumbulloja rezerva, sepse diçka e tmerrshme do të ndodhte dhe kështu bëra. Ne kemi ende ushqim në shtëpi, por nuk e di se si do ta bëjmë së shpejti”, thotë Tania.
Qëndrimi në shtëpi është rrezik, por Tania po përgatitet dhe thotë se ka rregulluar një cep të korridorit duke e bërë një lloj bunkeri, duke e rrethuar me batanije dhe objekte të tjera.
Por Lev nuk është një rast i izoluar. 2.7 milionë persona me aftësi të kufizuara janë të regjistruar në Ukrainë dhe situata e tyre, thotë Tania, “është e frikshme”. Ankesa vjen edhe nga Shoqata Evropiane e Sindromës Down (EDSA), e cila u ka dërguar një letër të hapur institucioneve europiane:
“Strehat në Kiev janë të paarritshme, ndaj personat me aftësi të kufizuara dhe njerëzit me sindromën Down, detyrohen të qëndrojnë në shtëpi, pa e ditur se ku mund të shkojnë për të qenë të sigurt”, thuhet në letër.
Zëri i Tanias dridhet dhe kur flet për të ardhmen e afërt i shtohet ankthi: “Burri im ka vdekur dhe jam vetëm, megjithatë shpresoj të arrij të nxjerr Levin dhe nënën time nga Kievi. Nuk e di si do ta bëjë, për ne i vetmi mjet i mundshëm do të ishte makina. Shpresoj me të vërtetë që t’ia arrij”.



