Pothuajse 90 kompani të mëdha në sektorë të ndryshëm që nga ushqimi, te çimentoja e deri te telekomunikacioni premtojnë se do të zvogëlojnë emetimet e tyre të gazit sere, në kuadër të një fushate të re që ka për qëllim të përfshijë në këtë nismë edhe kompanitë shumëkombëshe.
“We Mean Business”, koalicion i grupeve të avokimit, tha se dhjetëra kompani i janë bashkuar kësaj iniciative në dy muaj, çka i parapriu një samiti të Kombeve të Bashkuara, që po zhvillohet të hënën, i cili synon të nxisë veprime më të shpejta mbi ndryshimin e klimës.
"Tani kemi nevojë që shumë kompani të tjera t'i bashkohen lëvizjes, për të përçuar një sinjal të qartë se tregjet po zhvendosen", tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një deklaratë.
Koalicioni u prezantua në qershor me një thirrje për veprim nga Kombet e Bashkuara, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile. 28 kompanitë e para iu bashkuan muajin pasardhës. “We mean bussines” thotë se deri tani në këtë nismë janë përfshirë 87 kompani, me një kapital total prej 2.3 trilionë dollarësh.
Disa kompani në koalicion kanë rënë dakord të ulin emetimin e tyre të karbonit në zero deri në vitin 2050, përfshirë kompaninë zvicerane të ushqimit Nestle (NESN.S), kompaninë franceze të materialeve të ndërtimit Saint-Gobain (SGOB.PA), dhe prodhuesin francez të kozmetikës L'Oreal ( OREP.PA).
Të tjerë thonë se do t’u bashkohen, me qëllim që të kufizohet rritja e temperaturave mesatare globale në 1.5 gradë Celsius, e parashikuar në Marrëveshjen e Parisit 2015.
Ky grup kompanish përfshin kompaninë e telekomunikacionit finlandez Nokia (NOKIA.HE), grupin francez të ushqimit Danone (DANO.PA) dhe prodhuesit britanikë të ilaçeve AstraZeneca Plc (AZN.L).
Ndërsa shohim përparimin e ndryshimit të klimës, shkencëtarët thonë se bota duhet të përgjysmojë emetimet e saj të gazit serë gjatë dekadës së ardhshme për të shmangur ngrohjen katastrofike.
Ndërsa kompanitë e karburanteve fosile ende operojnë në fusha të reja nafte dhe gazi dhe shumë vende në zhvillim, duke e zgjeruar potencialin e djegies së qymyrit, premtimet e koalicionit duken shumë të vogla në raport me rritjen e emetimeve globale.
Disa ekspertë kanë vënë në dyshim nëse kompanitë tregtare të angazhuara publikisht në këtë nismë do të jenë në gjendje të bëjnë investimet gjithëpërfshirëse të kërkuara për të luftuar ndryshimin e klimës. Megjithatë, shumë investitorë kanë bërë presion ndaj kompanive për të vepruar në lidhje me rreziqet e klimës, dhe drejtuesit kryesorë gjithashtu përballen me presion nga një rritje e aktivizmit të udhëhequr nga të rinjtë, i cili mobilizoi miliona njerëz nembanë botës për të protestuar të Premten.
We Mean Business beson se premtimet nga një grup kompanish kryesisht evropiane, dhe disa të Amerikës së Veriut dhe Azisë, do të angazhohen për të verifikuar në mënyrë të pavarur objektivat e emetimeve, do t'i nxisin të tjerët të ndjekin këtë kërkesë.
Kompanitë si grupi danez i energjisë Orsted (ORSTED.CO), ndërmarrja spanjolle e energjisë Iberdrola (IBE.MC) dhe kompania gjermane e sigurimeve Allianz (ALVG.DE) do të diskutojnë krah qeverive në mbledhjen njëditore, sipas axhendës. / REUTERS /



