
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u ka kërkuar bankave të nivelit të dytë të mos financojnë projektet e partneritetit publik-privat. Në një letër dërguar bankave të nivelit të dytë dhe për dijeni guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Basha u bën thirrje atyre të rrezikojnë me financimin e PPP-ve.
Basha shprehet se paratë e gjeneruara nga prodhimi dhe trafikimi i drogës gjatë këtyre viteve të fundit, “janë përdorur për të korruptuar qeveritarë dhe punonjës publikë me qëllim pastrimin e parave të përfituara nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike apo/dhe korrupsioni.”
Basha shprehet se sektori bankar është më i ekspozuari nga bashkëpunimi mes qeveritarëve të korruptuar me disa kompani që po përdorin sektorin e ndërtimit për të pastruar paratë e fituara nga aktivitetet e paligjshme.
Basha thekson në letër se për Partinë Demokratike dhe Opozitën e Bashkuar, stabiliteti i sistemit bankar mbetet shumë i rëndësishëm, çka përbën arsyen e informimit të çdo banke për fatin e projekteve korruptive. “Ju kërkojmë zyrtarisht që të vlerësoni me seriozitet informacionin e përcjellë. Ne shprehim besimin e plotë që ju do të distancoheni dhe nuk do të bëheni palë në akte që provojnë mbështetjen ndaj projekteve korruptive dhe që cenojnë interesin publik”, thuhet në letër.



