Përfaqësuesit e Rusisë do të presin përgjigjen e Ukrainës për takimin në Gomel të Bjellorusisë, deri në orën 15:00, u tha gazetarëve kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky.
“Ne propozojmë me qetësi: tani është mesditë. Deri në orën 15:00 vazhdojmë të jemi këtu dhe presim përgjigjen e palës ukrainase në konfirmim të vendimit të tyre për të nisur negociatat në Gomel. Ne jemi për paqen. Në rast refuzimi për të negociuar e gjithë përgjegjësia për gjakderdhjen do të jetë në palën ukrainase”, tha ai.
Një nga gazetarët kërkoi të sqaronte saktësisht se për cilën orë po flitej dhe Medinsky u përgjigj, duke sqaruar se për orën lokale, 15:00 me orën e Bjellorusisë, raporton “Ria Novosti”.
Përveç Medinsky, delegacioni përfshin zyrtarë të lartë në nivelin e zëvendësministrave të mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme, ambasadorit rus në Bjellorusi Boris Gryzlov dhe kreut të komitetit ndërkombëtar të Dumës Shtetërore Leonid Slutsky.
Delegacioni rus mbërriti për bisedime në Gomel mëngjesin e sotëm. Siç shpjegoi zëdhënësi i Vladimir Putinit, Dmitry Peskov, ky qytet u zgjodh nga vetë pala ukrainase. Por pala ukrainase përgënjeshtroi duke thënë se ishin gati të takoheshin në Baku, Stamboll, Varshavë apo Vjenë dhe jo në një vend nga ku sulmoheshin me raketa.



