
Padinë e LSI-së për ish-ministrin Lefter Koka, analisti Mustafa Nano e ka cilësuar si hakmarrje.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, Nano tha se nëse Koka do të ishte pjesë e LSI-së, kjo padi nuk do të bëhej. Sipas tij, kjo padi mund të lidhet me largimin e ish-ministrit nga LSI dhe kandidimin e tij për PS-në, gjë që dëmtoi shumë LSI-në në zgjedhjet e 25 prillit.
Intervista:
Zoti Nano, një padi nga LSI për një ish-ministrin e vet? Mund të flasim për një luftë brenda llojit apo nisjen e një lloj katarsis nga LSI?
Nano: Nuk mendoj se katarsisi duhet përjashtuar. Nëse Koka do ishte pjesë e LSI, të gjithë e dimë që kjo padi nuk do bëhej. Ai iku dhe kandidoi për një parti tjetër dhe LSI doli shumë keq dhe unë mendoj se kjo është një hakmarrje. Nuk shoh gjë të keqe nga hetimi. Luftë brenda llojit nuk është sepse ai ka dalë dhe nga politika, është hakmarrje.
Partia Demokratike thotë se ka besim se SPAK-u mund të bëjë dhe vetingun e politikanëve, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme e ka tager të vetin hetimin e zyrtarëve të lartë për korrupsion, fshehje pasurie apo lidhje kriminale. Kujtoj që për kryebashkiakun e Lushnjës nuk iu desh veting që të shkonte në pranga.
Nano: Në këtë mes ka një gjë që më duket interesante, qëndrimi i PD për frutet e reformës në drejtësi. PD e Bashës po rreshtohet qartë drejt idesë që këto struktura duhen dhe kjo e ndan me një pjesë që është berishiane. Ky veting nëse bëhet të bëhet me resurse të brendshme dhe SPAK-ut duhet ngarkuar një detyrë që të bëhet shpejt. Ne na duhet një veting urgjent.
Nga ana tjetër kemi qeverinë që vendos ngritjen e një Agjencie Antikorrupsion. Kjo është e fundit e një prej nismave 8-vjeçare për luftën kundër korrupsionit. Besoni se kjo nismë do te këtë sukses?
Nano: Nuk besoj te nisma të tilla të ngritura nga qeveria për të luftuar korrupsionin. Qeveritë e krijojnë korrupsionin. Nismat e qeverisë janë propagandistike dhe jam kategorik në këtë pikë. Nismat qeveritare nuk luftojnë korrupsionin.
Kam edhe një pyetje zoti Nano. Përderisa Reforma në Drejtësi nuk çoi para ligjit njerëz që kishin fshehur pasurinë, por thjesht i nxori nga sistemi. Mund të ndodhë kjo edhe me vetingun e politikës?
Nano: Do duhej të ndodhte. Nëse duam sens të plotë drejtësie këto njerëz duhen ndjekur. Besoj që ka një përpjekje për ta vijuar procesin e dënimit të atyre që kanë dalë jashtë sistemit dhe kjo do pasohet me politikanët. Nëse kjo nuk bëhet, sensi i sistemit të drejtësisë nuk do ishte i plotë.



