Kërkesa e Erion Veliajt drejtuar kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar mbi pretendimet për kërcënime nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, nuk pritet të marrë dritën jeshile.
Kështu vlerëson drejtori i përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, i cili në "MCN Live" e cilësoi këtë nismë të Veliajt si një betejë të kotë dhe pa asnjë ndikim real në qeverisje apo në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.
Ndërsa Veliaj ka shprehur gatishmërinë që të dëshmojë nën betim dhe të ballafaqohet në Kuvend me ministrin Gogu e kryeministrin Rama, Meksi shprehet se kjo histori nuk ka rëndësi politike dhe se synohet vetëm krijimi i profilit të një të përndjekuri politik.
Prej vitesh kemi histori me komisionet parlamentare dhe mendoj se kjo kërkesë do të ketë të njëjtin fat, pra nuk do të plotësohet. Nuk mund të themi dot se është vetëm beteja e Erion Veliajt, pasi ai ka pasur disa deputetë apo aktorë pas vetes, por do të qartësohet se kjo betejë është e kotë. Ka pasur një vizion të gabuar në rolin e rritjes së Veliajt dhe kaq është, kjo histori nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Nuk shoh asnjë dëm që të vijë nga Veliaj kundrejt qeverisjes dhe asnjë skenar, prandaj e quaj të mbyllur si histori. Ai po synon të konfirmojë statusin e tij si një i përndjekur politik dhe të marrë një kthim mbrapsht të historisë, por kjo nuk ka për të ndodhur. Zgjedhjet janë afër, Partia Socialiste do të marrë një numër të konsiderueshëm votash dhe ai nuk do të ketë asnjë efekt te votat.
