Vitamina B12 është jetike për organizmin, por rëndësia e saj është akoma më kritike gjatë shtatzënisë, për shkak të rolit që luan në zhvillimin e trurit dhe sistemit nervor të fetusit.
E ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, nutricionistja Entela Çobo ndau një rast domethënës që nënvizon rëndësinë e kësaj vitamine, veçanërisht për nënat që ndjekin dieta vegjetariane ose vegane.

Ishte një rast i një nëne vegjetariane që nuk e dinte se kishte mungesë të theksuar të vitaminës B12. Fëmija i saj 6 muajsh kishte zona të trurit që nuk ishin oksigjenuar mjaftueshëm, një gjendje që mjekët e quajnë ‘atrofi’ apo ‘zvogëlim të trurit’.
Pas një terapie dy mujore me B12, rezonanca magnetike tregoi një përmirësim të madh në zhvillimin e trurit të foshnjës.”
Vitamina B12 gjendet vetëm në produktet shtazore, si mishi, peshku, vezët, qumështi dhe nënproduktet e tij. Për këtë arsye, vegjetarianët dhe sidomos veganët, të cilët nuk konsumojnë as vezë apo produkte bulmeti – janë më të rrezikuar nga mungesa e saj.
Trupi ruan një sasi të vogël të vitaminës B12 në mëlçi, rreth 5 mg, që mund të mjaftojë për 4 deri në 5 vite. Por nëse nuk plotësohet me konsum të rregullt apo me suplemente, pas kësaj periudhe, mungesa mund të bëhet serioze.
Si mund të plotësohet mungesa, sipas nutrocionistes Çobo?
Përveç burimeve shtazore, disa produkte si drithërat apo qumështet bimore (tërshërë, bajame) mund të jenë fortifikuar me vitaminë B12. Megjithatë, në shumë raste këto nuk janë të mjaftueshme.
Te nënat vegjetariane dhe veçanërisht vegane, suplementimi është thuajse i domosdoshëm, sepse rreziku është real. Zhvillimi i trurit të fetusit ndodh që në javët e para të shtatzënisë, ndaj kujdesi duhet të jetë që para konceptimit.



