
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar këtë të hënë kandidatët e partisë Bindja Demokratike të Astrit Patozit, në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Por e gjitha kjo uk ka kaluar pa debate.
Debatet janë intensifikuar mes anëtarit socialist të KQZ-së Denar Biba dhe përfaqësuesit ligjor të PD-së Ivi Kaso, i cili është shprehur se miratimi i kandidatëve të “Bindjes” është i paligjshëm.
Pavarësisht debatit, KQZ ka miratuar të gjithë kandidatët e Bindjes Demokratike.
Ndërkohë, vetëm pak orë pas regjistrimit nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, kandidati i Bindjes Demokratike për kryebashkiak të Lezhës, Salvador Kaçaj, ka deklaruar dorëheqjen nga gara për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Në një letër drejtuar KQZ, ai shkrehet se propozimin për të përfaqësuar Bindjen Demokratike në 30 Qershor e vlerësoi si një mundësi për të marrë pjesë në një garë për të mirën e Lezhës, por se disa rrethana dhe informacione gjatë këtyre ditëve, e kanë nxitur që të rishikojë vendimin.
“Unë nuk mund të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer në Shqipëri një regjim njëpartiak, të përzier me krimin. Është bindja ime më e thellë se zgjedhjet farsë, pa opozitën e vërtetë në 30 Qershor do të ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjthë Shqipërisë”, shkruan Kaçaj.



