Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë për në 22 qershor gjyqin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, lidhur me çështjen “Gërdeci”.
Vlen për t’u theksuar se në seancën e sotme u vendos që familjarët e viktimave të pranohen si palë në proces.
Duke folur mbi këtë vendim, Zamira Durda, banore e Gërdecit e cila humbi të birin në tragjedinë e vitit 2008, në një prononcim për edicionin e lajmeve në MCN TV tha:
Më në fund pas 15 vjetësh betejë pranohemi nga gjykata, jemi legjitimuar si palë në procesin penal. Në seancë u paraqitën kërkesat tona dhe vendosën që ne të jemi palë. Seanca u shty sepse Prokuroria kërkoi....Për shkak të numrit të lartë të viktimave dhe viteve që kanë kaluar... Mediu s’ishte i pranishëm, ishte avokati i tij Ardian Visha dhe avokati i caktuar nga gjykata. Seanca e radhës është në 22 qershor, ora 2:00. Pres vendosjen e drejtësisë për tim bir dhe të marr vesh përse nuk jeton më! Vendosje e drejtësisë do ishte dënimi i fajtorëve, ata që e shkaktuan këtë tragjedi. Nuk është thjesht dënimi i z.Mediu, gjithsecili të mbajë përgjegjësi, nuk e kemi personale me askënd, e kemi me institucionet që këta drejtojnë. Mediu s’është gjykuar asnjëherë. Është thjesht pezullim i çështjes për shkak të imunitetit, s’ka një vendim pafajësie. E vërteta është kokëfortë, dokumentet janë kokëfortë. Për sa kohë jam palë e procesit kam besim te drejtësia. Asnjë s’mund t’i mbrojë interesat e mia, veç unë”.



