Personi që shikoni në fotografi është 89-vjeçari nga Mallakastra, Çaush Shehaj i cili humbi jetën një ditë më parë në spitalin e Fierit si pasojë e dhunës së ushtruar nga dy persona që i hynë në banesë për ta grabitur.
Si të dyshuar për ngjarjen, policia njoftoi një ditë më parë, arrestimin e dy autorëve të dyshuar, Ervis Halimi 22 vjeç dhe Musa Gudo 28 vjeç.
Të dyshuarit u arrestuan disa orë pas ngjarjes, pasi nën kërcënimin e armës dhe dhunës, i morën një shumë parash shtetasit Çaush Shehaj, 89 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ndërroi jetë paraditen e së dielës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë.
Fillimisht të ndaluarit u akuzuan për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Por pas vdekjes së të moshuarit, u riklasifikua vepra penale në “Vjedhja me pasojë vdekjen”.



