
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, nuk është i mirëpritur në Presidencë. Në një letër që kreu i shtetit, Ilir Meta, i ka dërguar Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagen, asaj në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit pranë MEPJ në Tiranë, i vë në dijeni këto të fundit në lidhje me vendimin e tij për raportet me përfaqësuesin e OSBE-së. Meta e motivon këtë vendim me qëndrimin që Borchardt ka pasur për dekretin presidencial lidhur me zgjedhjet vendore dhe incidentin e disa javëve më parë me protestuesit e zonës së Astirit.
“Z.Bernd Boschardt, i cili vuri në diskutim dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”, thuhet në letrën që mban datën 18 nëntor.



