
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar për herë të parë për largimin nga Shqipëria të ish-kryeministrit maqedoans Nikolla Gruevskit në Hungari, pasi ishte dënuar me dy vjet burg në vendin e tij.
Në konferencën ndërkombëtare të gazetarëve, ku ishte i pranishëm kreu i shtetit, deklaroi se në një farë mënyrë Gruevski ka pranuar fajësinë e tij.
“Çdo politikan aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Nuk mund të gjykoj për çështjen në fjalë, se kemi të bëjmë me një vend tjetër dhe duke pasur këtë pozicion nuk kam përse të hap një debat për këtë çështje. Por ne kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike, janë përballuar. Largimi i tij është edhe një marrje e fajësisë së tij, pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë", deklaroi Meta.
Ai solli në vëmendje edhe një rast personal, ku në vitin 1992 Prokuroria i ka hequr imunitetin dhe ka lëshuar flet-arrest. Në atë kohë tha Meta, iu ofrua strehim politik në Greqi dhe Itali, por nuk e pranoi.
I pyetur nëse do dekretohet si ministër Sandër Lleshaj i propozuar nga kryeministri Edi Rama dy herë, presidenti deklaroi se nuk do të përfshihet në debate dhe se në ditët e ardhshme do ketë përgjigje institucionale.
"Jam President për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën dhe sikurse ju e dini, jam shprehur edhe publikisht për të informuar Kuvendin, në rast se Kuvendi kërkon sqarime. Në ditët e ardhshme do të merrni një përgjigje institucionale dhe korrekte dhe nuk kam ndërmend të përfshihem në debate të karakterit politik dhe spekulativ”, u shpreh Meta.



