
Dymbëdhjetë ditë pas performancës së debatit me Trump që u konsiderua katastrofik për Biden-in, presidenti po lufton për mbijetesën e tij politike. Samiti i NATO-s i kësaj jave në Uashington DC mund të jetë rruga e tij drejt shpëtimit ose fundosjes së kandidaturës së tij si president, raporton BBC.

Në ditët e kaluara, Biden ka qortuar kritikët e tij, dhe ka kërkuar mandatin e votuesve paraprakë demokratë duke sfiduar kundërshtarët.
Biden do të presë liderët e aleancës për tre ditë takime dhe ngjarje publike që kulmojnë në një konferencë solo për shtyp të enjten pasdite. Është një skenë në të cilën Biden, një njeri i aftë për marrëdhëniet me jashtë, duhet të ndihet rehat. Por gjithashtu duhet marrë parasysh fakti se një paraqitje e dobët në këto takime do të ketë pasoja ndërkombëtare dhe të brendshme. Një lapsus, ose gafë më shumë në këtë event të rëndësishëm mund t’i shuajë shpresat e demokratëve për të fituar zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Mund të theksojë gjithashtu shqetësimet nga aleatët evropianë, të cilët, ndonëse vlerësojnë arritjet e Biden gjatë mandatit të tij në detyrë, janë të shqetësuar për gjasat në rritje të një presidence të Donald Trump dhe ndryshimet dramatike të politikës së jashtme që do të sillte ai.



