
Lideri i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar sot në një konferencë për media se përtej faktit se PS është e involvuar dukshëm në dështimin e ruajtjes së aeroportit, qeveria është po aq e paaftë të zbatojë ligjet e veta për ruajtjen e parave nga krimi i organizuar. Kryetari i PD-së është shprehur se qeveria ka shkelur ligjin e bërë vetë nga ajo në 2016, ku thuhej se për sasi të mëdha parash është detyra e policisë së shtetit që të bëjë shoqërimin e parave.
Sipas Bashës, kompania e kontraktuar për sigurinë e aeroportit të Rinasit në fakt nuk është veçse një kompani e huaj, por një kompani me bashkëpronësi shqiptare, pasi njëri prej pronarëve të saj është avokati i PS-së, Eno Bushi.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se grabitja në Aeroport tregoi dështimin e policisë dhe rënien e shtetit para krimit, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se mendon si e si të vjedhë Shqipërinë me oligarkët.
“48 orë pas tronditjes së Shqipërisë dhe të mbarë botës nga grabitja e armatosur në Rinas, pyetjet janë shtuar dhe përgjigjet mungojnë. Rama po mundohet që dështimin e policisë dhe qeverisë dhe rënien e shtetit para krimit t’ia faturojë një kompanie private. Si për çdo gjë tjetër fajin e ka të tjerët. Ai as që e vret mendjen. Mendja e tij është si të vjedhë dhe grabisë Shqipërinë me oligarkët. Ngjarja e Rinasit jo e shkëputur dhe as e vetmja.”, deklaroi Basha.
Kryedemokrati Basha tha se ngjarja e rëndë e Rinasit mund dhe duhet të ishte parandaluar, ndërsa pohoi se vrasja dhe rrëmbimi i biznesmenëve dhe bankierëve ka nisur me ardhjen e Ramës në pushtet.
“Pjesë e zhvillimeve në gjithë Shqipërinë, pjesë e rrëmbimeve në Vlorë, grabitjet me armë të bizneseve, postave, vrasjet dhe rrëmbimet e bankierëve kanë filluar me instalimin e Edi Ramës në pushtet. Në Shqipëri ligjin e bën krimi. Përgjegjës për sigurinë në Rinas dhe kudo është qeveria dhe shteti shqiptar dhe jo kompania. Në bordin e Autoriteti Civil është vetë ministri i Brendshëm, por ministri nuk ka qëllim që të mbrojë vendin dhe qytetarët nga kriminelët. Vetë Edi Rama ka pranuar publikisht se bandat luftojnë brenda qyteteve. Zonja dhe zotërinj në 48 orë pas ngjarjes kanë dalë fakte tronditëse në skenë. Ngjarja duhet të ishte parandaluar. Sandër Lleshaj në deklaratë i bëri bisht një fakti të rëndësishëm, nuk iu dha përgjigje. Admir Murataj asnjëherë nuk u kap dhe pse ishte në kërkim dhe kreu katër grabitje brenda tre vitesh”, shtoi Basha.



