Prindërit do të çlirohen kontributi për shkollën. Edhe pse jo me detyrim, shuma mesatarisht 10 mijë lekë të vjetra paguhej çdo fillim viti shkollor nga prindërit e nxënësve, në mënyrë që me të të mbulohen gjatë vitit shpenzime si paga e rojës apo pajisjet për ngrohje (e ndryshueshme kjo nga shkolla në shkollë).
Por disa shkolla të kryeqytetit, në kushtet e një viti shkollor të pazakontë për shkak të pandemisë, kanë vendosur të mos e mbledhin kontributin financiar të prindërve, për të lënë të hapur mundësinë që ata t’u përgjigjen nevojave që kanë lindur rishtazi si ajo për dezinfektant dhe maska.
Në këtë mënyrë, mësuesit kujdestarë do të kenë mundësinë të bashkëpunojnë me prindërit për të mbuluar nevojat e fëmijëve për dezinfektant (rezervë), kuti me maska (rezervë), pako letre apo mjete të tjera që mund t’i duhen mësuesit kujdestar.
Plotësimi i këtyre nevojave financiarisht e tejkalon mesataren e kontributit vjetor. Drejtoritë e shkollave, në pamundësi për t’i mbuluar vetë këto nevoja, janë detyruar t’i zhvendosin kostot e tyre te prindërit, duke mos mbledhur fondin e nevojshëm vjetor që përdoret më vonë për të tjera nevoja po aq emergjente.
Fakti që i jepet prioritet para së gjithash respektimit të protokolleve shëndetësore, duke lënë përkohësisht pa zgjidhje probleme të tjera që mund të lindin gjatë vitit dhe që zakonisht janë mbuluar nga fondi i kontributit të prindërve shkon në përputhje me strategjinë e Ministrisë së Arsimit për nisjen e vitit të ri shkollor: duke parë e duke bërë!



