
Qeveria e Kosovës deklaron se Serbia ka vendosur kapacitetet ushtarake në 48 bazat e përparme afër kufirit me Kosovën. Po ashtu qeveria e Kosovës pretendon se aty janë vendosur edhe sistemet kundërajrore e artileria e rëndë. Në një reagim të bërë sot në mbrëmje qeveria e Kosovës kërkon nga Serbia tërheqjen e menjëhershme të të gjitha trupave ushtarake nga kufiri me Kosovën.
Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Qeveria. “Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë.
I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm”, thuhet në thirrjen e Qeverisë së Kosovës.



