
Serbia do të bojkotojë Samitin e BE që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor, një vendim që merret kundër emërimit të Nenad Rashiç nga kryeministri Kurti si ministri i ri për Komunitetet dhe kthim.
Diplomati Jorgji Kote duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha se Vuçiçi po gjen një sebep që të shtyhet dialogu pasi ka një presion në rritje nga BE, Franca dhe sidomos Gjermania.
Megjithatë diplomati thekson se Presidenti serb nuk ka për ta arritur qëllimin e tij, pasi tashmë është e qartë se ai i takon Moskës dhe Pekinit.
Është një sebep, një shkas, sepse ka kohë që politika serbe ndjekin një politikë jo miqësore ndaj BE-së, duke kaluar në pozita pro ruse. Në 30 qershor bëri të njëjtën gjë, duke bojkotuar bashkë me vendin tonë që s’do merrnin pjesë në Samit. Serbia kërkon shkas për grindje që të shtyhet dialogu. Duke parë presionin në rritje nga BE, Gjermania dhe Franca, sidomos nga Gjermania, Vuçiçi e ka inatin me Gjermaninë, duke u përpjekur të krijojë një ndarje... Janë naze dhe vickla që Vuçiç hedh që të shtyhet dialogu dhe BE të vazhdojë ta mbajë me hatër, ta mbajë atë si të nënës dhe Kurtin si të njerkës. Por nuk ka për t’ia dalë. Tani është e qartë që Vuçiçi i takon Rusisë dhe Kinës. Është naivitet që BE të besojë se Vuçiçi është djalë i mirë. Megjithëse besoj në minutat e fundit ai do ta ndryshojë këtë qëndrim me ndërhyrjen e BE”.
Lidhur me deklaratën e Escobarit, që i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të nisë formimin e Asosacionit të komunave serbe, Kote thotë:
Është në vazhdën e përpjekjeve, ku në vend që t’i kërkojnë më shumë Serbisë, i kërkojnë Kosovës, Asociacionit. Kërkon punë diplomatike, përpjekje si do bëhet ky asociacion që të jetë i pranueshëm edhe për Kosovën edhe për Serbinë. Nuk ka asnjë shans për asnjë marrëveshje as me propozimin franko-gjerman, sepse nuk do Serbia. Ata s’kanë vullnet politik, s’kanë kërkuar ndjesë...Vuçiçi ka marrëdhënie të ngushta me Putinin, nuk dihet si janë planet. Është koha që si BE dhe SHBA t’i thotë tani do ta njohësh Kosovën apo jo. Ka 15 vjet që është shpallur pavarësia e Kosovës. Sa e ka frikë Vuçici BE-në edhe ato e kanë frikë Vuçiçin. Pse e ka mbështetur Merkeli? Sepse është vend i madh, faktor stabiliteti dhe që kanë marrëdhënie të shumta biznesi. Vuçiçi e di se çfarë do t’i bëjë Evropa dhe Amerika?! Prandaj mundohet ‘tërhiq e mos e këput’ dhe ha në 4 grazhde. Scholzi i tha ‘njihe Kosovën ‘dhe s’ka pse të mos e njohë Kosovën, por nuk do. E do Kosovën në Ballkanin e Hapur që të thotë nesër domosdo Kosova është në Ballkanin e Hapur sepse është pjesë e Serbisë. Prandaj Kosova bën mirë që nuk hyn në Ballkanin e Hapur”.
Ai vë në dukje se ka qenë OKB-ja që ka përcaktuar se rol në këtë proces do ketë BE-ja dhe jo SHBA-të.
Këtë e ka përcaktuar OKB-ja. BE është ngarkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB, që të jetë lehtësues në marrëdhënie. Amerika ka caktuar Escobarin, edhe Franca ka caktuar përfaqësuesin e vet. Shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk! U çudita që Escobar prapë e mbështet Ballkanin e Hapur! Nuk mund ta marrë dot në dorë Amerika pa shkuar në Këshillin e Sigurimit në OKB, por atje janë Kina dhe Rusia. S’mund të lihen”.
Jorgji Kote e konsideron protestën e opozitës shqiptare në 6 dhjetor si një të drejtë demokratike, duke theksuar se nuk do të ishte e tillë vetëm po të ishim në një sistem monist.
Jam kundër vlerësimit historik. Është një vlerësim i mirë imazhi për vendin tonë, por kurrsesi historik. Protesta është fare demokratike, kushtetuese, normale, në vende demokratike. Nuk do ishte e tillë po të ishim në sistemin monist. Opozita ku ta gjejë që vjen BE që të bëjë një protestë, për të dhënë mesazhin që jemi me BE-në, por s’është kaq bukur sa thotë qeveria”.



