Një “urim” për Ditën e Pavarësisë që duket më shumë si paralajmërim për qeverinë e Edi Ramës.
Kështu është interpretuar mesazhi i sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili në vend të një toni ceremonial dhe festiv, zgjodhi të theksonte shqetësimin për rrezikun e karteleve të drogës dhe çështjet e sigurisë në Shqipëri.
Analisti Prec Zogaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, u shpreh se ky mesazh tregon qartë se mbështetja e SHBA për SPAK-un është e pandryshueshme, pavarësisht se kush është në pushtet.
Në një urim festiv zakonisht nuk përmenden kartelet e drogës.
Kjo ka bërë përshtypje, por reflekton prioritetet e SHBA në Shqipëri dhe fokusin te lufta kundër narkotrafikut.
Shtetet e Bashkuara po e shohin çështjen e sigurisë në Shqipëri si një prioritet të nivelit të lartë, më të theksuar se në mesazhet e mëparshme të administratës Biden.
Në Shqipëri paratë e grupeve kriminale rrezikojnë të prishin rregullat e lojës, bazat e një shoqërie demokratike. Kjo është arsyeja pse SPAK e ka këtë prioritet dhe pse SHBA e mbështet fort.
Pjesa më domethënëse e mesazhit amerikan nuk ishte as përmendja e narkotrafikut, por fakti që fokusi u vendos te partneriteti me organet ligjzbatuese, dhe jo te qeveria.
Në asnjë moment nuk u përmend qeveria. U përmendën institucionet ligjzbatuese dhe në këtë kuadër, mesazhi i referohet qartësisht SPAK-ut. Partneriteti me SPAK-un është i qëndrueshëm, sepse SPAK ka demonstruar rezultate.
Mbështetja e SHBA për SPAK nuk ndryshon as nëse ndryshon qeveria. Ajo është mbështetje për institucionet, jo për individët në pushtet.



