
Ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku ka ironizuar deklaratat e mëhershme të ambasadorit amerikan Donald Lu sa i takon arrestimit të “kokave” të krimit të organizuar dhe politikanëve të përfshirë në rrjete kriminale. Në një intervistë për televizionin Oranews, Sollaku tha se korrupsioni nuk luftohet as me fushata dhe as me data. “Jemi mësuar me këto janaret, shtatoret, dhjetoret, nuk mendoj se lufta kundër krimit, veçarisht e korrupsionit nuk bëhet me fushata, afate- u shpreh Sollaku, duke theksuar se për këtë qëllim duhet të ngrihen institucionet, të ketë vullnet politika për të mos mbështetur asnjë rast që është pjesë e korrupsionit, pastaj situata ecën normalisht. Nuk është se duhet domosdo janari apo shkurti. E rëndësishme është që kur ka prova, fakte mbi një zyrtar i kujtdo niveli qoftë, organet e drejtësisë të veprojnë- u shpreh më tej ish-kryeprokurori, duke iu referuar të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”. “Problemi i peshqve të mëdhenj apo të vegjël, kjo është çështje që koha do ta tregojë. Por organi i procedurës, prokuroria dhe gjykata tani, kanë për detyrë që i madh apo i vogël, po janë faktet, po janë provat për ti vënë para akuzës duhet të vihen. Pavarësisht se çfarë emri ka, është politikan apo qytetar i thjeshtë”-u shpreh Sollaku gjatë intervistës, ndërsa foli dhe për përgjegjësit e mungesë së akuzave ndaj zyrtarëve të lartë. “Do të thuash që në këtë periudhë është hezituar në vendosjen para përgjegjësisë penale të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve, kjo është jo vetëm e hetimit të prokurorisë dhe gjykatës por edhe e grumbullimit të provave për të provuar akuzën ndaj një zyrtari”-thekson Sollaku. Në nëntor të vitit të kaluar, ndryshe nga më parë, ambasadori amerikan Donald Lu pati përmendur dhe afat kohor sa i takon arrestimit “peshqve” të mëdhenj. “Presim arrestimin e disa peshqve të mëdhenjnë fillim të vitit të ardhshëm. Partnerët e presin këtë, populli e kërkon këtë.”-pati thënë Donald Lu. “Deri tani organet e drejtësisë kanë dështuar ndaj grupeve kriminale. Shqipëria ka një problem për lidhjen e grupeve kriminale me politikën,” tha Lu duke përmendur emrat e Arben Ndokës, Elvis Roshit, Mark Frrokut apo Gentian Muhametit. “Ju thoni që peshku i madh e ha peshkun e vogël, por për njëherë të parë në Shqipëri, do hamë peshkun e madh. Nëse SHBA ju mbështet, presim rezultate nga ju. Veprat flasin më shumë se fjalët”-theksoi ambasadori amerikan dy muaj më parë.



