Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar është shprehur kundër dërgimit të ushtarëve nga vendet e NATO-s në Ukrainë për të luftuar ushtrinë ruse, mes thirrjeve nga disa liderë evropianë për përfshirje më të drejtpërdrejtë në konflikt.
Duke folur për Sky News të premten, David Cameron tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë furnizimin me armë për Kievin dhe do të fokusohet në rimbushjen e rezervave të veta "si një prioritet kombëtar".
“Por nuk duhet të ketë ushtarë të NATO-s në vend sepse mendoj se mund të ishte një përshkallëzim i rrezikshëm,” tha kryeministri duke shtuar: "Ne kemi trajnuar gati 60,000 ushtarë ukrainas."
Këtë javë, presidenti francez Emmanauel Macron refuzoi edhe një herë të përjashtonte një dislokim të mundshëm në Ukrainë. “Ne nuk duhet të përjashtojmë asgjë sepse objektivi ynë është që Rusia të mos jetë kurrë në gjendje të fitojë në Ukrainë,” tha ai për Economist.
Zyrtarë të tjerë të lartë evropianë kanë hedhur idenë e dislokimeve të trupave, me disa që sugjerojnë se aleanca ushtarake e udhëhequr nga SHBA mund të dërgojë skuadra çminimi dhe personel tjetër joluftarak. “Prania e forcave të NATO-s në Ukrainë nuk është e paimagjinueshme”, u tha gazetarëve në mars ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski.
Megjithatë, vende të tjera të NATO-s, veçanërisht Hungaria dhe Sllovakia, janë shprehur kundër çdo përshkallëzimi të mëtejshëm.



