Është identifikuar polici që dhunoi 15 vjeçarin te liqeni artificial në Tiranë, i cili po lëvizte me biçikletë.
G.N është efektivi që ka ushtruar dhunë mbi të miturin dhe është pezulluar nga detyra, ndërsa për 3 efektivët e tjerë që ishin në vendngjarje po vazhdojnë hetimet nga SHÇBA.
Video e dhunimit të 15 vjeçarit qarkulloi në rrjetet sociale, ku tregohej se si 4 policë kishin shtrirë dhe godisnin një të mitur, pasi ai nuk kishte zbatuar orarin e lëvizjes.
Djali i mitur u arrestua dhe u dërgua në rajonin e policisë, ndërsa më pas ka qenë nëna e tij që ka shkuar ta marrë.
15 vjeçari ka dalë nga rajoni me shenja të qarta të dhunë në trup, ndërsa është shprehur se edhe gjatë rrugës për në rajon policia ka ushtruar dhunë mbi të.

Njoftimi i policisë:
Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet punonjës policie, i cili ka kryer shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe DVP Tiranë, pas verifikimeve të kryera dhe hetimit të bërë, pezulloi nga detyra punonjësin e Policisë G.N, pranë Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2.
Drejtoria e Standardeve Profesionale do të grumbullojë dhe analizoje të gjitha provat dhe në fund te hetimit do jepet masa sipas shkallës së shkeljes.
Gjithashtu, Policia e Shtetit ka ndeshkuar me mase administrative sipas Aktit Normativ, 2 te rinjte qe u konstatuan se kishin thyer orarin e ndalim-qarkullimit dhe kishin dale per shetitje me biçiklete, ne shkelje te masave per parandalimin e pandemise COVID-19.
Policia e Shtetit dënon ashpër veprime të tilla që cenojnë imazhin e Policisë tek qytetarët dhe fton cilindo që të denoncojë çdo rast të cenimit të figurës së punonjësve të Policisë apo të abuzimit me detyrën, duke u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.



