Gazetari Klodian Tomorri thotë se përballimi i fatkeqësive natyrore si tërmetet financiarisht mund të bëhet vetëm nëpërmjet buxhetit të shtetit. Në studion e MCN TV, Tomorri tha se mbështet modelin shtetëror të sigurimit të banesave.
Është një ide që ka vite që qarkullon. Është shtyrë nga BB. Ka filluar të zbatohet në Shqipëri. Sot kush blen një banesë të re paguan 500-1000 euro për të siguruar banesën nga tërmeti për 10 vite. Kjo shkon në çmim.
Nisma ka nevojë për qartësim, do jetë shtetërore apo private.
Sa herë ka katastrofë të përmasave të mëdha, ka vetëm një instrument për të zbutur pasojat financiare: buxheti i shtetit. Shikoni se çfarë do të ndodhë në Turqi. Katastrofa të kësaj natyre nuk ka aktor privat që i paguan.
Në rastin e tërmetit nuk ka palë të treta. Ajo që shembet është banesa jote. Do të ishte mirë të krijohej një mekanizëm, por në fund do të shkojë çështje buxheti. Nëse ndodh një ngjarje si ajo e vitit 2019, edhe sikur të gjitha banesat të jenë të siguruara, do të shkohet te buxheti i shtetit.
Jam për modelin shtetëror. Ka një arsye tjetër. Praktikisht ne kemi krijuar një treg sigurimesh mbi bazën e detyrimit. Kompanitë tona bëjnë biznes me sigurimin e automjeteve që është i detyruar me ligj. Ato kompanitë e sigurimeve duhet të jenë korrekte me njerëzit.
Nëse krijon treg me forcën e hurit dhe kërbaçit të ligjit, ai që është aktor i tregut nuk ka incentivën për t’i dhënë shërbim qytetarit. Nëse do të shkohet në një skemë sigurimi të detyrueshëm për banesat, më mirë të jetë në shtet.



