
Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, doli sot para mediave për të sqaruar opinionin në lidhje me përgjimet, pjesë e dosjes 339, të publikuara nga gazeta gjermane “Bild” dy ditë më parë.
Prela tha se kjo është dosja më e madhe që është hetuar ndonjëherë në historinë e prokurorisë shqiptare. Në kuadër të shqyrtimit të saj, 74 persona në hetim dhe ky numër pritet të rritet.
"Duke parë rëndësinë e madhe të çështjes, por dhe sensitetin e saj, numrin shumë të madh të personave në hetim me masa të ndryshme sigurimi, ku aktualisht numri i personave në hetim ka shkuar në 74 persona (dhe pritet të rritet në vijimësi), janë sekuestruar 300 000 m2 tokë, resort turistik, etj pra është kryer në volum i konsiderueshëm hetimesh, nga Drejtuesi i Prokurorisë në zbatim të detyrimeve ligjore, por dhe njëkohësisht të kompetencave që lejon ligji, janë marra masa të shumta organizative me qëllim lehtësimin e punës së prokurorëve të ngarkuar me hetimin e çështjes me qëllim përfundimin sa më të shpejtë në kohë të tyre", u shpreh Prela.
Kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda tha më tej se hetimi i veçantë i shitblerjes së votave ka qenë i pamundur.
“Hetimi i veçantë dhe i pavarur i veprave penale në fushën e zgjedhjeve ka qenë objektivisht i pamundur, pasi nuk mund të bëhej dhe nuk mund të bëhet ndarja e transkripteve, për këtë vepër penale sa kohë që element të saj janë konstatuar të ndërthurura me subjekte të përgjuar për veprimtarinë kriminale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal sa kohë që kjo ndarje nuk është bërë në momentin e konstatimit të tyre”, tha Prela.
Prela bëri një përmbledhje të historikut të dosjes më të përfolur të momentit, që nga fundi i vitit 2016, kur nisi procedimi nga Krimet e Rënda, e deri sot. Ajo shtoi se prokurorët e tanishëm të çështjes, z.Vladimir Mara dhe z.Dritan Prençi, nuk janë nën hetim për rrjedhjen e informacionit. Ata kanë dorëzuar dosjet e tjera që kishin në hetim dhe janë përjashtuar nga shortet për marrjen e dosjeve të reja, në mënyrë që të vazhdojnë punën me këtë çështje.
Prokurorët që kanë kaluar në duar dosjen "339"
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me datë 28.12.2016, ka regjistruar procedimin penal nr.339, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283 dhe 283/a/2 i Kodit Penal.
Hetimet në këtë procedim penal nga momenti i regjistrimit të tij dhe aktualisht, janë kryer nga disa prokurorë, sipas periudhave më poshtë:
1-Nga fillimi i procedimit penal datë 28.12.2016, deri më datë 20.11.2017 hetimet janë kryer nga prokurori Z.Anton Martini dhe dy oficerë të policisë gjyqësore. Pas kësaj date Prokurori është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Shkodër.
Gjatë hetimeve të kryera në këtë periudhë një vjeçare e cila përfshin dhe periudhën kohore të zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë (periudha qershor 2017), janë regjistruar hetime vetëm për veprat penale të “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuara nga nenet 283/2, 283/a/2, 287 të Kodit Penal.
2-Nga data 20.11.2017, deri më datë 21.09.2018, hetimet janë kryer nga Prokurori Besim Hajdarmataj, dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë dhe të policisë së shtetit.
Me urdhrin e datë 05.03.2018, të prokurorit të çështjes Z. Besim Hajdarmataj, është vendosur regjistrimi i veprave penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 333/a dhe 334 të Kodit Penal dhe po kështu me urdhërin e datës 05.07.2018, nga prokurori i çështjes Z. Besim Hajdarmataj, janë regjistruar emrat për 13 subjekte, si të dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “ Korrupsion aktiv në zgjedhje“, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe me urdhërin e datës 14.08.2018 është regjistruar emir i 8 personave si të dyshuar për veprat penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore”, “Prodhim dhe shitje narkotikeve”, etj, të parashikuara nga nenet 283, 283/a, 333/a, 245, 260, 328 të Kodit Penal.
Prela më pas sqaroi se pas largimit të Prokurorit Besim Hajdarmataj për shkak të caktimit të përkohshëm pranë Prokurorisë Pogradec, me vendimin e drejtuesit të prokurorisë, datë 25.09.2018, janë caktuar për hetimin e procedimit, prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, ku ky i fundit rezulton se ka qenë prokuror dhe ne disa procedime te tjera penale të bashkuara me procedimin penal nr 339/2016 më parë .
Prela tha se në kuadër të hetimeve, janë administruar gjithsej 624 CD me regjistrime të përgjimeve elektronike dhe 115 DVD. Nga këto, janë 110 CD për vitin 2017, 479 CD për vitin 2018 dhe 35 CD për vitin 2019. Sipas Prelës, në momentin e ngritjes së grupit hetimor nga ana e drejtuesit të prokurorisë tetor 2018, të gjitha CD e administruara kanë qenë të pa transkriptuara në tërësi dhe vijimësi, por ka pasur transkripte të pjesshme, vetëm të disa numrave të veçantë, dhe në mënyrë sporadike.



