
Qytetarët dhe artistët kanë marshuar në bulevardin kryesor të Tiranë në shenjë kundërshtimi ndaj ligjit që qeveria "Rama" miratoi pak ditë më parë në Kuvend në lidhje me prishjen e Teatrit Kombëtar si dhe dhënien e tokës një firme private me qëllim ndërtimin e disa kullave.
Ata nuk kanë protestuar para Teatrit Kombëtar, por kanë marshuar në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, për t'u ndalur para Kryeministrisë ku i kanë bërë thirrje Ramës që të tërheqë ligjin dhe të heqë dorë nga prishja e teatrit për ndërtimin e kullave.
Qytetarët dhe Nisma kundër Prishjes së Teatrit kanë hedhur akuza në drejtim të qeverisë dhe kanë kërkuar që të mos shembet godina e Teatrit Kombëtar.

Me pankarta "Mbro Teatrit", "Pa Teatër, pa MSA, s'ka Evropë" dhe "ISIS, përgjegjëse për 28 monumente kulturore" mbi një foto të kryeministrit Rama, protestuesit marshuan paqësisht në shesh deri përpara selisë së Kryeministrisë.
Aktori Neritan Liçaj, duke iu drejtuar kryeministri Rama, ka thënë se nuk do ta lejojë që të shkatërrojë artin dhe kulturën në Shqipëri. ‘Jo me artin, jo me kulturën, jo me vlerat kulturore në vendit tënd. Nuk ta lejojmë’, tha Liçaj.

Protestuesit i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Ramës të tërhiqet nga projekti për shembjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa me vargjet e këngës “Eja mblidhuni këtu”, ata u kanë bërë apel qytetarëve të bashkohen para Kryeministrisë.
“Jo shembjes, jo shkatërrimit. Teatri i Qytetarëve. Eja mblidhuni këtu këtu bashkë me ne. Rroftë Shqipëria, poshtë diktatura. Teatri është i joni…“, ishin disa nga thirrjet në kor të protestuesve.
Edhe PD, përmes kreut të saj, Lulzim Basha, e ka postuar në rrjetin social aktivitetin në fjalë, duke mbështetur si ditët e fundit të protestave, lëvizjen e qytetarëve dhe artistëve.




