
Dhjetëra mijëra njerëz po marshojnë në kryeqytetin algjerian, Algjer, në një protestë masive kundër Presidentit Abdelaziz Bouteflika.
Kjo është java e tretë e protestave, ndërsa këto kryengritje janë nxitur nga vendimi i presidentit aktual për të marrë pjesë në zgjedhjet e muajit prill.
Bouteflika e ka udhëhequr Algjerinë në njëzet vjetët e fundit, ndonëse është paraqitur rrallë në publik që nga viti 2013, kur kishte pësuar sulm dhe gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar dukshëm.
Ai ka paralajmëruar se protestuesit po e dërgojnë vendin drejt kaosit. Në një letër të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, presidenti ka bërë thirrje për vigjilencë ndaj forcave të brendshme dhe të huaja, të cilat, sipas tij, mund të jenë të përfshira në protesta.
Një faqe e lajmeve njoftoi të premten e kaluar se autoritetet e transportit publik i kanë pezulluar të gjitha shërbimet e autobusëve, tramvajëve dhe trenave në prag të mbajtjes së protestave të radhës.
Protestat janë duke u mbajtur në qytete të ndryshme të vendit. Ato filluan muajin e kaluar pasi presidenti Bouteflika njoftoi se do ta kërkojë mandatin e pestë në zgjedhjet e muajit prill, shkruan BBC.
Në një letër të botuar nga agjensia zyrtare e lajmeve e Algjerisë të enjten, kreu 82-vjeçar kërkoi "vigjilencë" kundër forcave "vendase dhe të huaja" që mund të depërtojnë në demonstrata.
Por ai gjithashtu vlerësoi demonstruesit për "shprehjen paqësore të opinioneve të tyre".
Protesta e të premtes mendohet të jetë më e madhja në një seri demonstratash që filluan tre javë më parë.



