Ish-kryeministri grek, Aleksis Tsipras, kërkon nga pasardhësi i tij t’i qëndrojë linjës për shpalljen e 12 miljeve det territorial me vendet me të cilat Greqia nuk ka përmbyllur ende marrëveshjet për kufirin detar. Në një intervistë për gazetën greke "Kathimerini", lideri i Syrizas, qeveria e të cilit avancoi dukshëm në këtë drejtim, i sugjeron edhe kryeministrit konservator, Kyriakos Mitsotakis, t’i përmbahet kursit të qeverisë së mëparshme, sa u takon çështjeve kombëtare.
Strategjia jonë duhet të jetë mbyllja e marrëveshjeve për Zonat Ekskluzive Ekonmike me Shqipërinë, Italinë dhe Egjiptin. Unë jam i gatshëm të jap pëlqimin ndaj vendimeve që qeveria e Mitsotakis mund të marrë lidhur me këto tri vende.
I pyetur pse nuk u ratifikua në Parlament dekreti presidencial për shpalljen me 12 milje të detit territorial, Tsipas shpjegoi se pengesë u bë mungesa e konsensusit nga palët politike.
Kur zoti Kotzias u largua, ai kishte lënë një plan që ne kishim diskutuar dhe miratuar. Unë isha i mendimit se duhej gjetur koha e duhur për zgjerimin e ujërave territoriale në ato zona ku po bisedonim për Zonat Ekskluzive Ekonomike. Kotzias la një dekret presidencial në lidhje me detin Jon. Unë mora drejtimin e Ministrinsë së Jashtme me qëllim përmbylljen e marrëveshjes së Prespës dhe e konsiderova të mundshëm që në muajt në vazhdim të vazhdonim me zgjerimin e ujërave territoriale në detin Jon, por përmes një procesi legjislativ, në mënyrë që përgjegjësinë ta merrte Parlamenti, pasi në çështje të tilla nuk mund të procedohet vetëm me një firmë. Të paktën doja të kisha pëlqimin e palëve të tjera.
Duke folur për tensionet me Turqinë, Tsipas tha se është koha që Evropa të rimarrë një rol më të fortë në çështjet gjeopolitike.



