
Behar Bajri, një nga personat e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Metamorfoza”, është arrestuar së fundmi në Francë. Policia e Shtetit, njoftoi se 43-vjeçari u kap me qëllim ekstradimi në Shqipëri, ndaj të cilit po kryhen hetime nga SPAP për disa akuza të rënda.
“Në vijim të punës gjurmuese dhe kërkimore, si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, mesditën e sotme, falë inteligjencës policore të siguruar nga Policia e Shtetit, shkëmbimit në kohë reale të informacionit, nëpërmjet oficerëve të kontaktit të Policisë së Shtetit dhe Policisë Franceze, si dhe koordinimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Parisit, u bë e mundur kapja në Francë, nga Policia franceze, e shtetasit shqiptar Behar Bajri, 43 vjeç. Kapja e këtij shtetasi u bë me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Dosja “Metamorfoza”, ka nxjerrë në pah disa nga krimet e rënda të ndodhura në vendin tonë, ndërsa në pranga janë vënë edhe disa emra të njohur. Prokuroria dyshon se Bajri, fitoi lirinë nga Gjykata e Shkodrës pas ndërhyrjes së prokurorit Xhevahir Lita. Ky i fundit ishte në kontakte të vazhdueshme me biznesmenin Pëllumb Gjoka i cili ofronte shuma të ndryshme parash që miku i tij Behar Bajri i identifikuar me pseudonimin (lopata ose daci) të lirohej.
Në dosje u zbulua se Behar Bajri kishte bashkëpunuar edhe me Ervis Martinajn. Mes tyre ishte aplikuar “metoda me ndërrim”. Bajri mori përsipër vrasjen e Gjin Ndojit, ndërsa Martinaj do të vriste Kleant Musabelliun, pas vrasjes së Ndojit.



