Nga qyteti i Elbasanit, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ditën e nesërme do të hapë zyrtarisht fushatën zgjedhore për PS-në Tiranë.
Kreu i qeverisë ishte sot në Elbasan, në një takim me gratë socialiste të këtij qyteti.
Rama tha në nisje të fjalës së tij, se ai është i lumtur që “rrugëtimin e 18 qershorit” e hap me gratë.
Gjatë fjalës së tij Rama ka treguar në Elbasan se çfarë do të ndodhë nesër, me apo pa opozitën.
“Sot ju me të drejtë prisni që unë t’i kaloj pjesët që kanë të bëjnë me politikën tonë gjinore dhe të them dy fjalë për situatën ku jemi. Ju mund të pyesni çfarë do ndodhë dhe unë ju përgjigjem që nesër PS do fillojë fushatën zyrtare për zgjedhjet e 18 qershorit. I mësuar në shumë vite që të shikojmë sherr, konflikt, dasi, përplasje, e të shikojmë kriza në mos të gjithë në të shumtën e herës janë krijuar nga vetë politikanë nga vetë elitat e partive që flasin për popullin gjithë ditën por shumë pak mendojnë për të”, deklaroi Rama.
Në këtë mënyrë, Rama tregon se nuk ka ndërmend që ta lëshojë datën e zgjedhjeve, të cilën opozita kërkon ta shtyjë.



