GJKKO ka rrëzuar kërkesën për liri të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Beleri kishte kërkuar t’i hiqej masa e arrestit dhe të shkonte në zyrë.
Seanca gjyqësore në GJKKO zgjati rreth një orë.
Në përfundim të seancës në GJKKO, avokati i Belerit, Edmond Demo tha se Beleri ka kërkuar të drejtën e tij, të lirohet dhe të marrë detyrën.
Jemi të bindur që ai po mbahet politikisht në burg. Kemi bërë kërkesën edhe këtë radhë për zëvendësimin e masës së sigurimit. E bëmë më 31 korrik, sipas ligjit duhet të ishte bërë seanca brenda 5 ditësh. Gjykata e bëri pas 21 ditësh, vendosi ato që kishin vendosur paraardhësit. Nuk lënë asnjë shpresë, thonë kur të vijë çështja e themelit.
Përmbajtja e atyre akteve solli që të bëjmë këtë kërkesë sepse më 31 korrik kur u dërgua cështja për gjykim na u vunë në dispozicion disa prova që nuk i dinim që ekzistonin.Që nga caktimi i prokurorit të shkallës së parë, që është caktuar një ditë më pas dhe veprimet nisën një ditë më parë. Nuk e kuptojmë si mund të ndodhin këto. Kjo sjell pavlefshmëri të të gjitha akteve. Duhet të konstatoheshin dhe nga Gjykata.
Beleri kërkoi të drejtën e tij, si gjithmonë. Të lirohet dhe të marrë detyrën e tij siç e ka votuar populli. Nga Gjykata u shkrua bukur arsyetimi që tha rrëzohet se nuk plotësohen kushtet.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale, bashkë me mikun e tij Pandeli Kokaveshi, me akuzën e blerjes së votave.



