
Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, thotë se tashmë është dakordësuar për agjendën e negociatave me Kosovën në Uashington, ku do të mbahet një takim me datë 4 shtator. Në një intervistë për mediat e vendit të tij Vuçiç deklaron se në të është një ‘pikë e papranueshme’.
Presidenti i Serbisë nuk specifikoi se për çfarë bëhet fjalë, por vlerësoi se pret befasi dhe negociata të vështira.
"Tema e vetme e bashkësisë ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për Kosovën, pavarësisht nga agjendat, është njohja e Kosovës. Thelbi është që (Avdullah) Hoti dhe zyrtarë shqiptarë thonë se po shkojnë në Shtetet e Bashkuara për njohje. Kishte edhe deklarata jozyrtare nga udhëheqësit në rajon që do të nënshkruaj çkado që ofrohet në Uashington. Këtë e dëgjova me kujdes. Unë pres një befasi, nuk hezitoj ta them këtë, dhe do t'i kërkoj falje administratës amerikane nëse kjo nuk do të ndodhë,"- tha Vuçiç për televizionin serb “Pink” të shtunën në mëngjes.
"Nuk ka rëndësi se nën çfarë lloj shantazhi jemi, ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesat e shtetit. Deri më tani, ne nuk kemi analizuar atë që Serbia ka sot në Kosovë dhe çfarë është reale që mund të marrim,"- tha presidenti serb para bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të premten e ardhshme.
Përsa i përket një pjesmarrje të Trump në negociata me kryeministrin e Kosovës Hoti, Vuçiç shprehet pesimist, pasi Vuçiq tha se nuk e pret këtë nëse "përmbajtja e kërkesës së SHBA-së për Serbinë në lidhje me Kosovën është si supozohet".
"Meqenëse mendoj se e di se cila mund të jetë përmbajtja e asaj befasie, sepse e ndiej atë, dhe jo sepse kam të dhëna, ka më shumë të ngjarë që do ta refuzoj këtë dhe se ky takim nuk do të zhvillohet,"-tha Vuçiç.
Sipas presidentit serb shteti i tij po vuan politikat e gabuara të viteve 1990.



