Drejtori ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase, për emërimet politike të Elisa Spiropalit si kryetare e Kuvendit, kryesisht në rang këshilltarësh me paga të konsiderueshme, thotë se duhet parë problematika e administratës së fryrë me njerëz që nuk bëjnë punë dhe nuk duhet të trembin numrat.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se kërkesa llogaridhënies duhet të çohet përpara, në mënyrë që me drejtuesin e ri të mos ketë vetëm ndryshim emrash.
Sipas tij, Kuvendi është institucion që ka nevojë të ketë kabinet dhe profesionistë, por duhet parë a kanë eksperiencën e duhur dhe moshën e duhur për të qenë në kabinet.
Tase shtoi se konkurrimi në kabinetet politike është në dorën e drejtuesit të institucionit, edhe pse e cilëson si një nga mënyrat më të mira për të zgjedhur kabinetin e duhur.
Publikimi i stafeve të administratës publike është detyrë dhe ndër kushtet kryesore të transparencës së administratës publike. Është problem mbasi zbulohet kur mbaron një kabinet detyrën.
Ne jemi mësuar tashmë që kemi kabinete që shpesh nuk ngarkohen me detyra në punë, por janë me miqësi, ndonjëherë dhe detyrime partiake.
Në vendin e Kuvendit të Shqipërisë, nuk e quaj abuzive pjesën e këshilltarëve, nëse këta këshilltarë kanë mbuluar detyrat dhe kanë pasur rezultat. Një nga detyrat ishte rritja e rolit të mëtejshëm të Kuvendit.
Të gjithë këto kompetenca që Kuvendi duhet t’i kryej në procesinë e integrimit, kërkojnë njerëz dhe staf të përgatitur. Duhet parë problematika e administratës së fryrë me njerëz që nuk bëjnë punë, nuk duhet të na trembin numrat. Do të duhet të bëjmë një vlerësim të rezultateve të punës.
Nuk duhet të ndërpritet këtu kjo kërkesë llogaridhënie, duhet të kemi kujdesin dhe vëmendjen që ta çojmë më tepër pjesën e transparencës dhe jo që drejtuesi i radhës të bëjë thjesht ndryshim emrash.
Vetë Kryeministri Rama ka thënë se në administratë ka ndaluar koha e punësimit për të bërë ndere farefisnore.
Shpresojmë që do jetë një nismë që do vazhdojë, të mos jetë me aksione, por të jetë një nismë që të japë rezultate të vazhdueshme dhe të tregoj që jemi një vend që administratën e kemi menduar jo vetëm si mundësi punësimi, por një shërbim publik që na ka munguar.
Administrata është dhe konsumatori kryesor i fondeve tona që shpesh nuk përkthehen në investime publike.
Nuk duhet menduar asnjëherë që nuk bën dëm një punonjës më shumë apo një punonjës më pak. Kuvendi është një institucion në nivel kryesor në hierarkinë shtetërore. Gjithë institucionet e tjera kontrollohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Duhet të ketë mbështetje ndaj KLSH në mënyrë që auditimet dhe detyrat e tij të jenë sa më të zbatueshme dhe të mos ngelen vetëm në raporte dhe në fund janë qytetarët që duhet të jenë të vëmendshëm.
Qytetarët duhet të jenë ata që ndëshkojnë me votë ata pushtetarë apo politikanë që abuzojnë me taksat e tyre.
Në rastin e kabineteve janë gjithmonë emërime politike, ne kemi pasur rastin e ndërmarrjes së Ujësjellësave ku janë punësuar mbi 20 këshilltarë që nuk kanë as strukturë politike të nevojshme.
Në rastin e ministrive dhe Kuvendit kabinetet politike janë të nevojshme, është normale që të ketë dikë që të kujdeset për imazhin publik.
Mendoj se është institucion që ka nevojë të ketë kabinet dhe profesionistë, por duhet parë a kanë eksperiencën e duhur, moshën e duhur për të qenë në kabinet, a kanë mundësinë për të dhënë ekspertizën e duhur për institucionin. Por për mua kabinetet politike janë të nevojshme. Konkurrimi në kabinetet politike është në dorën e drejtuesit të institucionit.
Konkurrimi është gjithmonë një nga mënyrat më të mira për të zgjedhur kabinetin e duhur, por është gjithmonë një domein i politikanit dhe drejtuesit që ndërton kabinetin. Se kemi të bëjmë me besueshmëri dhe krijimin e një fryme ku udhëheqësi dhe lideri duhet të shihet i zhveshur nga aureola e politikanit.
Besoj se besueshmëria është shumë e rëndësishme, se sa një konkurrim që duhet bërë në administratën publike. Ka dhe staf administrative që kanë varësi nga sekretari i përgjithshëm.
Administrata ka një nga kriteret kryesore profesionalizimin dhe kapitulli përkatës është lënë që hapet i pari dhe mbyllet i fundit, sepse BE e ka kuptuar që vendet e reja që janë futur nga Lindja, nuk kishin një praktikë burokratike në administratë, ku emërimet shpesh nuk janë jetëgjata, nuk kanë meritë.
Duke e konsideruar administratën si pjesë që do të zbatojë legjislacionin e nevojshëm për integrimin, ka nevojë që të ndryshojë.
Kjo është arsyeja pse administrata shqiptare ka nisur të monitorohet dhe është në monitorim strikt për standardet antikorrupsion dhe mendoj se deri në momentet e fundit do të jetë e monitoruar për të qenë një administratë europiane.



