Nga Ina Gjonçi
Ngjarje tragjike në vend. Arsyeja?
Çdo tragjedi në vendin tonë, ka ndodhur veç për një arsye- arsye bazike, që ka sjellë arsye të tjera, në raste të tjera- arsye, po thoja/shkruaja që gjithnjë për shqiptarin sy pishë, ka qenë e denjë për të bërë rrokopujën e radhës: i ashtuquajturi -edhe për shtypin- nder. Pak vend ka për sarkazma në fakt, duke qenë se dikush ka humbur jetën, ndonëse në minutat e fundit, ka bërë një veprim që kudo tjetër mbase do ngazëllente personazhet e historisë. Personi që ka humbur jetën pra, ka komplimentuar dikë. T'i lëmë këndvështrimet e mia të çuditshme e të shohim çfarë na thotë qartë, saktë e pastër, hetuesia.
Sipas rindërtimit të bërë nga hetuesit, shkaku i grindjes midis dy burrave që më pas tragjikisht rezultoi në vrasje duhet të gjendet tek çështjet e nderit. Atë të shtunë në mbrëmje, sipas asaj që u zbulua, M. U paraqit në lokalin ku punon e dashura e Xh. , duke i bërë komplimente të shumta. E mërzitur, ajo informoi të dashurin e saj për sjelljen e klientit.
Pjesa tjetër, nuk ka nevojë të rrëfehet aq më pak nga unë. Ajo që më çudit më shumë është që tituj mediash prestigjioze, ende' kategorizojnë krime të tilla si krime 'pasioni' apo krime 'nderi' në çastin që veç këto dy terma, nuk kanë lidhje me situatat në fjalë. Nuk jemi në programet tipike televizive ku personazhet 'ashtu e ndien, ashtu e thanë', apo veprojnë në një mënyrë të caktuar pasi 'janë vetvetja'. Nderi , pasioni apo dashuria, nuk kanë lidhje me gjithë sa përmendëm më lart, por kanë lidhje me njerëz që veç të dashurojnë me pasion nuk dinë. Ajo që dinë të bëjnë më së miri është të mos organizojnë dot emocionet e tyre bazike, dhe primitive.
Post scriptum: gjithsesi' ende' më ka mbetur mendja tek fjalia ' E mërzitur, ajo informoi të dashurin e saj për sjelljen e klientit.' Po nuk i zgjidh dot këto punë vetë moj vajzë? Rri pa komplimente fare tani! Ndjesë po kështu e ndjeva, kështu e thashë.
'Mos kemi ujë mos kemi drita, veç Rama me Metën të bashkohen' -Rikthimi
Ju ka rënë çatia mbi kokë nga tërmeti? Jeni në qiell të hapur? Pa bukë, pa ujë? Po ç'rëndësi ka kjo, kur vetë Ai, vjen e të viziton? Rëndësi ka, të bëni sytë katër, e të lexoni këtë dialog magjik, që as Vonnegut, nuk do ta shkruante dot.
Qytetari: Je i nderuar dhe i respektuar ti që na vjen dhe na viziton ne dhe lëshon rreze drite që na shëron ne
Edi Rama: Po mbaron shtëpia?
Qytetari: Kur të mbarojë të mbarojë. Ne nuk jemi asnjëherë kundër teje. Nuk të tradhtoj kurrë asnjëherë, edhe kurrë mos mbarofshin shtëpitë! Djali im!
Kalitja e qytetarëve si nismë, ka ecur aq fort, sa tani qytetarët, janë gati, të mbledhin para' për të ndihmuar kryeministrin, në mënyrë që ai të ndërtojë një vilë të dytë në Surrel. Jo se ai ka nevojë, rëndësi ka gjesti. Madje, zotëria në fjalë, nuk do pranojë që shtëpia e tij të vazhdojë-le të mbetet siç është-vetëm e vetëm që paratë, të shkojnë për Atë. Nëse Ai nuk do pronë, se mbase ka shumë të tilla, edhe ideja e parave të thata, mendohet të jetë, po aq e vyer. Me pak fjalë, që mos bëhemi rrëmujë: nuk ka rëndësi, si, qysh, tek, me çfarë, rëndësi ka, që tani që ne vetë si popull jemi kaq mirë e mund të durojmë, të jemi në gjendje të ndihmojmë edhe Kryeministrin që rri pa gjumë për ne. Ky mendohet të jetë kulmi i mirëqenies së një shteti.
Plas te Kukësi, skuadra nuk del në stërvitje prej pagave. Pritet reagimi i…
Reagimi i ....? Nuk e dimë. Titulli mbaron këtu, dhe në vazhdimin e lajmit, nuk kuptohet mirë cili është emri që duhet të plotësojë retiçencën në fjalë.
Prej javësh situata te verilindorët “zien”, madje së fundmi ka pasur edhe largime nga skuadra, pikërisht mbrojtësi kosovar, Sadik Vitija. Situata nuk është aspak e mirë, por mbetet për t’u parë tashmë reagimi i drejtuesve të klubit. Lojtarët kanë pritur prej ditësh të shlyhen, por pavarësisht premtimeve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Në fakt, edhe kjo është pjesë e kalitjes. Veç trishtimit që kanë të gjithë ata që profesionin e tyre e kanë të lidhur me publikun, si muzikantët, aktorët, futbollistët në këtë rast e të tjerë e të tjerë, mendohet që të shqyrtohet saktë se sa mund të mbajnë, duke mos marrë edhe pagat. Ky është një stad i vështirë i lojës. Duke shkruar gjithë drithërimë këtë lajm, u kujtova që kategoria e dytë që përmenda, janë aktorët. Them ta lë me kaq, që mos frymëzoj ndokënd për nisma kaq të guximshme, se kaq duan ata lart: një batutë bën ti, dhe e shndërrojnë me shpejtësinë e dritës në realitet.
Duke pritur Ambulancën, zbulon që autobusi i Unazës vjen më shpejt...
Lajmet janë edhe më drithëruese kur vijnë nga jeta e qytetarëve, e jo domosdoshmërisht nga buletini i lajmeve, ose më saktë nga jeta e lojtarëve të paepur të lojës Surviver, lojë ku marrim pjesë pa dëshirën tonë. Po ecja e qetë në “Myslym Shyri”, duke u përpjekur të kapja pllakat që nuk kërcasin-jam bërë e bezdisshme, gjithmonë kështu e përshkruaj këtë rrugë-dhe një grup njerëzish të shqetësuar më tërhoqën vëmendjen. Rastësia solli të ishin kolegë, e sigurisht u afrova t'i pyes, se ç'po ndodhte. Ende' nuk ka dalë rregulli që nuk lejohet ndihma mes lojtarëve, ndaj t'i pyesja në kishin nevojë për gjë ishte më e pakta. Dikush ish ndjerë keq, e po prisnin të dëgjonin sirenën e lavdishme që nuk dukej hiç në horizont. Kishin 30 minuta që prisnin e për herë të parë në jetë, dëgjoja se si shoferi i pyeste se ku ndodhej mesi i rrugës “Myslym Shyri”, pyetje që më futi thellë në mendime: a nuk ndodhet mesi në mes? As detaji, 'përballë të vetmit karburant në “Myslym Shyr”, dukej se nuk ndihmonte. Sirena u dëgjua pas 40 minutash, po ndërkohë zonja që ish ndjerë keq, ish ngritur në këmbë, falë ndihmës me mjete rrethanore. Kështu që, djemtë e Ndihmës së Shpejtë, bënë një bisedë sigurisht të shpejtë me të, u siguruan që tashmë kalitja përmes peripecive ka bërë të mundur që njerëzit të ngrihen në këmbë vetë, dhe ikën, të qetë.
Ika dhe unë, duke ndërmendur një ngjarje të para 10 viteve në jetën time: kur vajta tek Urgjenca se më duhej makina e Urgjencës për gjyshen time, mjeku më pyeti 'E ke urgjent?'
Mesa duket atëherë ishim akoma tek lojërat e fjalëve.
Takimet e zemrës sime
Emisioni i dashurisë, më i njohur në vend vazhdon fuqishëm rrugëtimin e tij. E ky rrugëtim nuk ka se si mos shoqërohet me komente njerëzish që kane adresën e tyre të vërtetë me postimet serioze ku i ndjek edhe shefi, një adresë tjetër ku përgjojnë partnerët dhe adresën tipike me zero postime ku shajnë kë u del përpara. Tragjedia ndodhi: dy të rinj u takuan, dhe u afruan më shumë se ç'duhet fizikisht. Papritmas studio e emisionit, u shndërrua në një Këshill Lagjeje ku vajza akuzohej për 'shfaqje të huaja', komentuesit ulërinin figurativisht që 'femra duhet të ketë etikë, se mashkulli mashkull është'. Në 2020 në vendin e shqiponjave vazhdon zhveshja e mashkullit-dhe jo në kuptimin e parë të fjalës se ashtu do të ishte me drejtë mbase-por në kuptimin metaforik, zhveshja e tij, nga çfarëdolloj përgjegjësie, dhe fajtore është ajo: gruaja, që ngre gracka të frikshme. Eva e mishëruar në një vajzë që merr pjesë në një produksion televiziv, që nuk ha më mollën, e bën mëkat, por ha një krepë tek kreperia e radhës së cilës i duhej bërë reklamë patjetër.
Shqiptarët gjetën më në fund, diçka për t’u marrë në tre ditët e çudisë. Ndërkohë loja e vërtetë, mos harroni, bëhet gjetkë, e lojtarët jemi ne.



