Vendimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të kërkuar ndërprerjen e mandatit të kreut të bashkisë së Kavajës Elvis Roshit dhe mandateve të dy deputetëve Shkëlqim Selamit të LSI-së dhe Dashamir Tahirit të PDIU-së është mirëpritur edhe nga ambasada amerikane në Tiranë.
Në një reagim zyrtar ambasada e konsideron një fitore të popullit, por njëherësh edhe një paralajmërim për të gjitha ata persona që mund të kenë të shkuar kriminale por që duan të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme.
"Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për t'i hequr mandatet tre politikanëve, Elvis Rroshit, Shkëlqim Selamit, dhe Dashamir Tahirit, nën ligjin e dekriminalizimit. Vendimi i sotëm është një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë a të jenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që plotësojnë deklarata false duhet të ndëshkohen më gjithë forcën e ligjit. Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve", thuhet në reagimin zyrtar.



