17 nëntori shënon 76-vjetorin e çlirimit të Tiranës nga ushtria gjermane në vitin 1944.
Trupat e brigadës së parë sulmuese të udhëhequra nga Mehmet Shehu çliruan kryeqytetin nga pushtuesit nazistë pas 19 ditë luftimesh të ashpra ku banorët e kryeqytetit luajtën rol aktiv.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj ka mbajtur homazhe ditën e sotme tek “Ushtari i Panjohur”, në kuadër të 76-vjetorit të çlirimit të Tiranës.
Gjatë fjalës së tij Veliaj theksoi se sot nuk e rrezikon asgjë Shqipërinë, pasi është vend i Natos dhe shanset për tu pushtuar janë shumë të vogla. Më tej kryebashkiaku falenderoi të gjithë të pranishmit duke theksuar se aty kishte dhe demokratë.
‘Padrejtësia ndaj heronjve a ka emër? Sot kemi momentet për të reflektuar për të mos humbur shpresat teksa përballemi me sfidën e pandemisë. Besoj fort se mënyra më e mirë për ta nderuar sakrificën e tyre është që të qëndrojmë të bashkuar, të ndërtojmë një shoqëri të lirë të drejtë dhe të barabartë. Sot nuk na rrezikon njeri, jemi pjesë e Natos, gjasat që të na pushtojnë janë shumë të vogla. Sot keni në dorë ta shkatërrojmë dhe na ndërtojmë Tiranën. Tirana dhe Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur, unë dua ti siguroj qytetarëve që të përqafojnë njëri tjetrin, punën. Jam i sigurtë se sa herë Tirana bashkëpunon për të ecur përpara do të dalim faqebardhë. Biden bëri thirrje për bashkim, të dëgjojmë njëri tjetrin, për ne ka ardhur koha të reflektojmë. Jam i lumtur që 17 nëntori na ka bërë të gjithëve bashkë, socialistë dhe demokratë, do të doja të ishim gjithmonë bashkë. Lavdi të gjithë dëshmorëve të njohur dhe të panjohur. Gëzur festën e çlirimit, gëzuar nga zemra.’ mbyll fjalën e tij Veliaj.

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar 76-vjetorin e çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazifashistë në vitin 1944.
Në një mesazh të shpërndarë në “Facebook”, kreu i shtetit shkruan se lufta fitimtare për kryeqytetin i hapi rrugën çlirimit të plotë të Shqipërisë, ruajtjes së integritetit dhe kufijve të shtetit shqiptar.
“Sot, përkujtojmë me nderim të thellë dhe krenari të ligjshme, 17 Nëntorin 1944, Ditën e kurorëzimit me fitore të betejës legjendare për Çlirimin e Tiranës, kryeqytetit tonë, nga pushtuesit nazifashistë! 76 vjet më parë, djemtë dhe vajzat partizane, bashkë me qytetarët kryengritës të Tiranës, do të realizonin një nga operacionet ushtarake më të lavdishme dhe më të suksesshme, duke i dhënë të drejtën dhe kredon brigadave partizane për të hyrë fitimtare në kryeqytet. Për të ardhur te kjo ditë e bardhë, u desh gjaku dhe jeta në lulen e rinisë e qindra Dëshmorëve, sakrifica dhe përpjekjet e mijëra partizanëve në çdo shesh, rrugicë, barrikadë dhe shtëpi të kryeqytetit”.
Meta shkruan mes të tjerash se çlirimi i Tiranës ishte një kontribut i rëndësishëm për të forcuar legjitimitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend i përkushtuar në Aleancën Antifashiste.



