
Mbrëmjen e sotme, në Partinë Demokratike është zhvilluar mbledhja e kryesisë. Kjo mbledhje, sipas burimeve është shoqëruar me debate të ashpra mes deputetëve. Edi Paloka dhe Albana Vokshi kanë kërkuar që të gjendet një zgjidhje, ku të dyja palët të përcaktojnë përfaqësues dhe të vlerësojnë firmat në zyrën e tij. Këtë propozim e shprehu më herët gjatë ditës edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.
Këtë propozim e ka mbështetur edhe Aldo Bumçi, i cili ka thënë që të përdoren negociatat me palëve për të arritur një zgjidhje përsa i përket mbledhjes së Kuvendit. “Vendimi për përjashtimin e Berishës u mor pa respektuar askënd, e mori i vetëm duke futur në krize opozitën dhe jo qeverinë. Ndryshe nga Berisha në 2001 apo Rama në 2009, Basha zgjodhi mos të ndërmerrte asnjë kushtëzim për qeverinë. Sot mbas dy humbjesh radhazi, mbasi demokratet ju ndoqën në çdo aksion si asnjë lider tjetër, protesta djegie mandatesh, çadra etj. Braktisje zgjedhjesh lokale, përgjegjësia e madhe është juaja z.Basha. Kriza e dytë buron nga braktisja e masakrës zgjedhore. Me raportin me kritik për zgjedhjet nuk u ndërmor asnjë hap. Ne jemi në krizë se humbën zgjedhjet për herë të dytë, dhe këtu kemi përgjegjësi të gjithë. Por përgjegjësinë më të madhe, si në çdo parti tjetër e ka kryetari. Çfarë mund t’i thotë më votuesit shqiptar Lulzim Basha mbas 8 vitesh, çfarë aksioni do t’i propozojë që nuk e bëri? Nuk mund të shumëzohen me zero mbi 4200 firma. Ato janë fuqia reale. Basha me qëndrimin e tij po fut në krizë PD-në. Është krize e Bashës dhe jo e të tjerëve. Të mbështetet propozimi i zotit Paloka, dhe të përdoren negociatat si zgjidhje”, është shprehur Bumçi.
Ndërkohë Gjekmarkaj, ka thënë se mbledhja e së hënës është “natë reflektimesh”. Sipas tij, anëtarët e Kryesisë kanë menduar që Basha dhe Berisha janë bashkë deri në momentin që u ndanë. “Sonte është një natë reflektimesh! Mbajta shënime kur folën kolegët! U tha këtu që kriza filloi se humbëm zgjedhjet! Nuk është kështu! Ne patëm një Kongres në Korrik që për mua mbetet një kujtim i shëmtuar! Duke filluar nga fjalimi i Zotit Basha dhe i të gjithëve ju me radhë! Fjalime propagande, të gjithë ju u ikët problemeve që trashëgonim, qe e gjitha një fasade hipokrizie! A e dini pse? Sepse ju mendonit që Basha dhe Berisha janë bashke gjithmonë dhe patë interesat tuaja! Jua thashë disa miqve si folët kësisoj? Qeshnin! Ja thashë Flamurit para RTSH “e shkatërrove armikun me atë fjalim”! Qeshëm të dy. Foli vetëm Mark Marku, ju tha të vërteta të renda. Heshtët. E mbështeta vetëm unë me shkrime. Pas datës 9 Shtator ndryshoi gjithçka. Filluan problemet e statutit, filloi kriza. E nisi Sali Berisha për arsye personale. Mua nuk do më dëgjoni kurrë duke sharë Sali Berishën. E konsideroj personalitet politik me shqisa unike, por gjykim kam. Ai e di që nuk e fiton betejën me SHBA dhe ka filluar betejën me Lulzim Bashën”, ka thënë Gjekmarkaj.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes ka patur një debat mes deputetëve Aldo Bumçi dhe Jemin Gjana. Burimet thanë se debati mes tyre ka qenë mjaft i fortë, ndërsa ky fakt është mohuar nga Gjana. Ndërkohë, Bumçi është shprehur se gjatë mbledhjes ka patur një debat mes tij dhe Gjanës por pa konfontime fizike.
Më tej, debatet janë zhvendosur mes kreut të selisë blu, Lulzim Basha dhe deputetes Albana Vokshi. Gjatë diskutimeve dhe kërkesave mes palëve për të arrirë një dakordësim, ka patur ngritje zëri dhe debate që dëgjheshin deri në korridoret e selisë.



