Qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe deputetë e mbështetës të opozitës janë mbledhur para Ministrisë së Brendshme për të protestuar për sigurinë në plazhe, pas ngjarjes së rëndë të një dite më parë në plazhin e Himarës. Në një lidhje Skype nga protesta, deputetja demokrate, Ina Zhupa, tha se përgjegjësia direkte bie mbi Ministrinë e Turizmit, e cila nuk ka garantuar sigurinë në plazhe, siç përcakton ligji.
Siguria në plazhe është zero. Qytetarët janë në dorë të Zotit. Sot në këtë protestë jemi sepse përgjegjës përveç atij që është sot në burg, janë edhe dy ministrat Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro. Bashkë me Edi Ramën që flet për plazhe të sigurta dhe turizëm të mbarë. Mirela Kumbaro sot duhej të kishte dhënë dorëheqjen. Sipas ligjeve, duhet të jetë Ministria e Turizmit ajo që garanton sigurinë në plazhe. Detyrën që ka kjo ministri nuk e ka bërë. Fajtori tjetër është Ministria e Brendshme. Arjan Tase nuk duhej të ishte në radhët e Policisë së Shtetit. Të gjitha hallkat e policisë kanë dështuar për të monitoruar bregdetin.



