Pesë të rinj shqiptarë janë arrestuar në Breshia të Italisë për vjedhje në banesa. Ata akuzohen për vjedhje dhe posedim armësh në shkelje të ligjit. Sipas mediave italiane, që nuk bëjnë të ditur emrat e të arrestuarve, katër prej tyre janë në burg, ndërsa një tjetër u lirua.
Grupi e kishte bazën në Sesto San Giovanni, Milano, dhe vjedhjet i kryenin në zonën mes Lombardisë dhe Piemontes. Hetimet nisën muajt e shkuar pas disa vjedhjeve në Breshiano, ku u zbulua se ishte përdorur një Mercedes i vjedhur në Zvicër. Policia ka ndjekur lëvizjet e makinës dhe ka monitoruar lëvizjet e pjesëtarëve të grupit, çka ka bërë që në pak ditë të gjenden prova të përfshirjes së tyre në disa vjedhje.
Në disa raste vjedhjesh, grupi kishte shfrytëzuar periudhën e pushimeve për të hyrë në shtëpitë e banorëve të zonës, ku kishin pasur kohë të merrnin edhe kasaforta të montuara në mur. Më pas, të gjitha sendet e vjedhura, ata i shisnin në një vendbanim endacakësh.
Atyre u është sekuestruar edhe një pistoletë me 37 plumba, gjithashtu e vjedhur, makina me të cilën lëviznin dhe një pjesë e sendeve të vjedhura.



