
Edhe pse e regjistruar fillimisht si një organizatë jofitimprurëse, Lëvizja “Vetëvendosje” tashmë do të jetë zyrtarisht prezente edhe në Shqipëri. Në datë 11 mars të këtij viti kjo lëvizje ka depozituar në Gjykatën e Tiranës kërkesën për regjistrimin e Qendrës “Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri”.
Kryetar i Bordit përmes një vendimi unanim është përcaktuar Enis Sulstarova, nën drejtimin e anëtarëve: Liburn Aliu, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha, Dejona Mihali, Sami Kurteshi, Arbër Zaimi dhe Gearda Demiraj, ndërkaq, Drejtor Ekzekutiv do të jetë Boiken Abazi.
Drejtor Ekzekutiv Boiken Abazi, përmes rrjeteve sociale, ka shpjeguar se objektiv është bashkimi kombëtar: "Qendra synon të japë mbështetjen për ushtrimin e së drejtës demokratike për vetëvendosje të popullit shqiptar për realizimin e bashkimit të shtetit të pavarur të Kosovës me Shqipërinë, duke u bazuar në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe parimin e vetëvendosjes së popujve të shprehur në Kreun 1 të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara" shkruan Abazi në Facebook.
Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje është forca kryesore opozitare, ndërsa mbetet për t'u parë se si do të pritet aktiviteti i saj në Shqipëri.



