Nën masën e sigurisë “arrest me burg” që prej fundit të muajit gusht, dy shtetas rusë dhe një ukrainas janë ende nën hetim. Tre shtetasit e huaj u arrestuan pas një incidenti me rojën në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh. Në studion e lajmeve, Demir Çiftja, avokati mbrojtës i njërit prej tyre, tha se klienti i tij është thjesht një student që ka mbaruar studimet në Çeki dhe ishte në një udhëtim eksplorues në Shqipëri.
Unë kam pasur në mbrojtje vetëm njërin nga shtetasit rusë, Mikhail Zorin. Ai është kapur në ambientet e uzinës së Gramshit. Ka qenë personi që ka përdorur sprajtin, ka qenë sprajt pepermint.
Janë të tre nën masën arrest me burg. Hetimet vijojnë dhe janë ende në fazën e qartësimit të pozicionit të secilit. Në bindjen time si avokat, klienti im si çdo student që mbaron universitetin ka ardhur për të eksploruar vendin tonë. Nga ambasada ruse nuk ka pasur asnjë lloj reagimi apo kontakti. Konsullja e Ukrainës ka marrë pjesë në një seancë.
Deri në këtë moment nuk më ka kontaktuar njeri të interesohet për shtetasin që mbroj unë.
Ka vite që është larguar nga Rusia dhe jetonte në Çeki. Babai ka tentuar të kontaktojë një nga avokatët. Deri në këtë moment në dijeninë time nuk ka persona të tjerë të përfshirë.
Çiftja tha se masa e arrestit do të mbetet në fuqi.
Nuk ka shpresa që Gjykata e Lartë të ndryshojë masën e arrestit. Ligji kërkon që të ndryshosh masën, duhet të kenë ndryshuar kushtet. Që nga marrja e vendimit nuk ka ndryshuar asnjë kusht.
Tre shtetasit e huaj u arrestuan në gusht në Gramsh. M. Z., 24 vjeç, S. T., 33 vjeçe, të dy shtetas rus dhe F. A., 25 vjeç, shtetas ukrainas, akuzohen për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .



