
Dy persona janë arrestuar si të dyshuarit kryesorë për vrasjen e ish-futbollistit Andrea La Rosa, i zhdukur në mes të nëntorit. Hetimet kanë zbuluar detaje makabre të vrasjes pas gjetjes së trupit në bagazhin e një makine në superstradën Milano-Meda.
Antonietta Biancaniello dhe i biri, Raffaele Rullo, me banim në Quarto Oggiaro, Milano, janë vënë në pranga dje ndërsa udhëtonin me makinën e tyre, ku u gjet trupi i viktimës.
Policia kishte prej kohësh dyshime në lidhje me dy të arrestuarit. Siç shkruan “Corriere della Sera”, ish-futbollisti 35-vjeçar është vrarë menjëherë pasi ishte zhdukur. Dy autorët janë përpjekur të zhdukin kufomën, duke i hedhur acid. Por për shkak të sasisë së pamjaftueshme, ata nuk kanë arritur ta çojnë në fund planin makabër. Kjo ka bërë që për më shumë se një muaj të detyrohen të mbajnë në makinë atë çfarë kishte mbetur nga trupi i futbollistit.
Vrasja për një borxh
Policia ra në gjurmët e dy vrasësve falë dëshmive të lojtarëve të klubit të futbollit “Brugherio”, në të cilën viktima mbante detyrën e drejtorit sportiv. Lojtarët janë shprehur se hera e fundit që e kanë parë ka qenë në dhomat e zhveshjes, kur La Rosa u ka thënë se do të shkonte të takonte dikë në Quarto Oggiario (zona ku banojnë autorët e vrasjes) për një çështje parash.
Hetimet zbuluan se nga e njëjta zonë kishin ardhur sinjalet e fundit të celularit të viktimës, para se ai të fikej. Sipas hetuesve, nënë e bir i kishin një borxh viktimës. Por kur ky i fundit ka këmbëngulur të marrë paratë mbrapsht, ata e kanë vrarë. / TGcom/



