Arrestimi i zyrtarit të MF/ Tomorri: Institucionet e shtetit një han pa porta! Nëse hetimi do ishte i plotë mund të kishte akuza për korrupsion

Arrestimi i zyrtarit të MF/ Tomorri: Institucionet e shtetit një han pa porta! Nëse hetimi do ishte i plotë mund të kishte akuza për korrupsion

Gazetari Klodian Tomorri komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV arrestimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave Arlind Gjokutaj. Tomorri tha se dosja dhe hetimi janë ende të pa plotë, duke u shprehur se nëse vërtetohen që paratë kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve të MF, ata do të akuzohen për korrupsion dhe jo shpërdorim detyre. Sipas Tomorrit ky rast tregon se institucionet në Shqipëri janë hane pa porta. Ai vë në dukje se Gjokutaj nuk u kap nga auditi i brendshëm i institucionit apo struktura të tjera, por nga banka private ku hidhte paratë qeveria.

Kjo është një dosje, ndoshta është ende fillimi dhe s’e kemi të plotë tablonë e asaj çfarë ka ndodhur. Është i paplotë edhe hetimi. Sekretari i përgjithshëm i MF është arrestuar dhe akuzohet për veprën shpërdorim detyre. Nëse kemi një aferë korruptive, nëse shpërdorimi i detyrës ka qenë kaq evident sa tregohet në dosje... Një zyrtar kur bën shpërdorim me vetëdije të detyrës e bën për disa përfitime. Hetimi më duket i paplotë, sepse nëse Prokuroria do kishte provuar që një pjesë e parave që i kanë kaluar shtetasit Ilir Thana nga MF, do kishin përfunduar në xhepat e zyrtarëve të MEF do ishim përballë një akuze tjetër. Nuk do akuzoheshin më për shpërdorim detyre, por për korrupsion. Është një hetim që s’është bërë siç do duhej të bëhej për të provuar fajësinë dhe kushdo që ka shkelur ligjin të përballet me drejtësinë. Shkalla e abuzimit ka qenë 1,2 milionë euro. Deri më sot janë kaluar në llogarinë e z.Thana 40 e ca mijë euro, një pjesë janë sekuestruar nga Prokuroria”.

Ka një sërë filtrash që janë në institucionet shtetërore. Si fillim kemi audit të brendshëm të çdo dikasteri. MF ka një audit të brendshëm që ka për detyrë të sinjalizojë dhe të kapë shkelje të këtij lloji. Ajo që ka ndodhur është tregues që dëshmon se institucionet në Shqipëri janë një han pa porta, për shkak se kalohet një vendim që ishte ekzekutuar në 2015-ën, nuk kapet nga auditi i brendshëm, nuk ndalohet nga strukturat e tjera, por kapet nga një bankë private ku qeveria hidhte paratë. Kanë dështuar të gjitha strukturat dhe filtrat që shteti ka për të mos lejuar abuzimet e këtij lloji. Nëse s’do kishte qenë banka ato para do ishin marrë, s’do i kishte kuptuar askush. Kjo na çon në dyshimin tjetër, a ka njerëz të tjerë të përfshirë, ndoshta edhe më lart sekretarit të përgjithshëm. Fakti që të gjitha strukturat çedojnë dhe ka një memo, të lë të dyshosh që mund të ketë të tjerë të përfshirë ndoshta edhe më lart se sekretari i përgjithshëm”.

Kryeministri Rama s’ka për ca të reagojë më parë, sepse qeverisë po i plasin skandale përditë. Një ditë gjenden para dhe topa me euro të ish-zyrtarëve të lartë dhe kryeministri del e deklaron llumi, drejtësia....Një ditë më vonë del që Ministria e Financave ka abuzuar 1,2 milionë euro. Mendoj që z.Rama do reagojë në stilin e tij, kush ka ngrënë dardha të mbajë përgjegjësi me ligjin. Këta po kapen sepse është merita jonë, sepse në qeverinë e shkuar as e çonin nëpërmend të arrestonin zyrtarë! Çështja është që një qeveri që prodhon kaq shumë skandale, kryeministri nuk mund të distancohet dhe ta lërë të gjithë përgjegjësinë të personat individualë që bien në grackën po rrjetën e ligjit. Problemi i korrupsionit në qeverisjen Rama është strukturor, nuk bëhet nga një individ apo zyrtar, por është filozofi. Është një qeveri e zhytur në korrupsion, duke parë këto skandale dhe s’janë më raste sporadike. Kur një qeverisje është kaq shumë e zhytur në korrupsion, të gjithë vjedhin.

Tomorri thotë se Arlind Gjokutaj ishte një prej zyrtarëve të paktë në qeverinë Rama që deri më sot s’ishte përfolur për akte koruptive.

Gjokutaj ka pasur një karrierë të shpejtë në administratë. Z. Gjokutaj ka qenë një nga njerëzit e paktë në këtë qeverisje që s’ishte përfolur deri më tani për akte korruptive. Ka mbajtur postin e drejtorisë së doganës për një kohë të gjatë, që ka shumë para dhe tundim për korrupsion. Nuk kishim dëgjuar qoftë edhe thashetheme për z.Gjokutaj dhe mbërrijmë në këtë situatë, ku në rolin e sekretarit të përgjithshëm i MF ka hedhur një firmë dhe për këtë duhet të përgjigjet”.

Tomorri thotë se shkarkimi i Arlind Gjokutaj është një ngjarje e sigurt. Gazetari thotë se sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë Agaçi nuk është automatikisht përgjegjës për rastin, por nëse Gjokutaj është detyruar të hedhë firmë nga një direktivë e ardhur nga ai apo ministrja, situata do të ndryshonte.

Besoj që shkarkimi tashmë është një ngjarje e sigurt. Z. Agaçi është sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë duhet të marrë vendimin për ta shkarkuar. Sepse s’bën sens që një zyrtar që është në qeli të vazhdojë të mbajë postin në institucion. Agaçi ka emëruar të gjithë sekretarët e përgjithshëm, por vetëm ky fakt se bën automatikisht përgjegjës. Nëse z.Gjokutaj është detyruar ta hedhë firmën për shkak të një direktive të ardhur nga Agaçi apo zonja Ibrahimaj, atëherë do kishim një situatë tjetër. Deri në këtë pikë e gjithë përgjegjësia ligjore i është lënë z.Gjokutaj. Sipas prokurorisë ai e ka bërë këtë veprim në shkelje të ligjit, me vullnetin dhe vetëdijen e tij. Sekretari i përgjithshëm i MEF ka rol kritik në institucion, firmos në dokumente që autorizojnë thesarin të bëjë pagesa, të ekzekutojë marrëdhënie kontraktuale, mund të quhet i dyti pas ministrit. Është normale që tani të ketë shumë paqartësi deri në këtë fazë ku është dosja. Nuk kemi dëgjuar ende versionin e z.Gjokutaj përse e hodhi atë firmë, a ka qenë i njoftuar me memo që kjo kontratë ishte ekzekutuar njëherë në vitin 2015. Siç pretendon avokati, arrestimi i tij është bërë pa u marrë më parë në pyetje”.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy