
Teksa 3 qershori shënoi Ditën Botërore të Biçikletës, emisioni “MCN Informacion” i kushtoi vëmendje përdorimit të biçikletës si mjet transporti në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë.
Dr. Lluka Heqimi, mjek sportiv, u shpreh se Tirana mund të funksionojë si një qytet miqësor ndaj biçikletave, por theksoi rëndësinë e ruajtjes së korsive të dedikuara.
Këto korsi nuk duhet të përdoren nga motorë apo skuterë elektrikë. Në fillim, para 7-8 vitesh, kur u hapën, ishin të sigurta, askush nuk guxonte të hynte aty pa arsye.
Sot, skuterët janë bërë si ‘parazitë’ që dëmtojnë jo vetëm sigurinë, por edhe funksionin e këtyre korsive.
Ka raste ku korsi të biçikletave përdoren për qëllime të tjera, madje edhe nga mjete të emergjencës të improvizuara. Nuk ka nevojë që një motor me kuti pice të futet në korsi biçikletash, vetëm pse i mungon një sinjal që e identifikon si urgjencë. Këto sjellje janë të rrezikshme për çiklistët.
Nga ana tjetër, trajneri i Kombëtares së Çiklizmit, Mejdin Malhani, tha se është koha që edhe rrugët rurale të pajisen me korsi të dedikuara për biçikleta.
Nuk mjafton vetëm qyteti për të nxitur çiklizmin si mënyrë transporti dhe si sport, duhet të krijojmë lidhje të sigurta ndërmjet qyteteve dhe fshatrave.
Në momentin që po rindërtohet autostrada Tiranë–Durrës, është një mundësi e humbur që të mos planifikohet një korsi e dedikuar për biçikleta.
Janë vetëm 36 kilometra, në çdo vend të zhvilluar të botës, lidhjet ndërqytetase janë të pajisura me infrastrukturë për biçiklistët.
Ai theksoi mungesën e statistikave të sakta për përdoruesit e biçikletës në Shqipëri, por përmendi edhe një krahasim.
Ne nuk kemi hyrë akoma në një statistike se sa i rrezikshëm është përdorimi i biçikletës në Tiranë sepse në Itali brenda një viti vriten 200 të rinj nga përdorimi i biçikletës.
Ne jemi mirë në lidhje me këtë drejtim sepse nuk kemi incidente, ka gjera të vogla por nuk ka statistikë sepse mendoj se dhe përdoruesit e biçikletës këtu nuk janë aq sa janë në vendin fqinj.
Ne nuk kemi raste të tilla fatale, por kjo edhe sepse numri i përdoruesve është më i vogël.
Sporti i çiklizmit është lënë pas dore dhe nuk ka marrë vëmendjen e duhur institucionale.



