Një shpërthim ka tronditur Lezhën në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Një sasi lënde plasëse i është vendosur zyrës noteriale të noterit Fran Gjoni, që ndodhet në qendër të qytetit pranë sheshit “Gjergj Kastrioti”.
Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale, ndërsa referuar pamjeve të kamerave të sigurisë kanë qenë dy persona te cilët kanë vendosur lëndën plasëse dhe janë larguar.
Sipas korrespodentit të MCN nga Lezha, policia ka nisur hetimet, ndërsa dy autorët mësohet se kanë qenë të pamaskuar dhe po punohet për identifikimin e tyre.
Fran Gjoni ka deklaruar se nuk ka konflikte dhe probleme me ndonjë person.
Fran Gjoni është vëllai i ish-gjyqtarit Gjin Gjoni i cili prej një viti është bërë pjesë e politikës si kryetar i Partisë Demokratike në Lezhë dhe kandidat për primare për të qenë deputet.
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 04:00 jemi njoftuar se në qytetin e Lezhës, para derës së zyrës noteriale të shtetasit F. Gj, 57 vjeç, është hedhur një sasi e vogël lëndë eksplozive, e cila ka shpërthyer, duke shkaktuar dëme materiale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.



