Politologu Ilir Kalemaj tha në MCN Live se në Shqipëri është e ndarë si historia ashtu edhe politika, në një ditë kur sot festohet 111-vjetori i pavarësisë. Kalemaj tha se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë jo ekzistente dhe përgjegjësia kryesore sipas tij është e Edi Ramës. Sipas Kalemajt gjuha e Kurtit sot në Shqipëri tregonte se ai nuk ka dashur të komunikojë me Ramën.
I pyetur si na gjen ky 111-vjetor i pavarësisë Kalemaj thotë:
Na gjen me faktin që akoma shqiptarët janë të ndarë në dy pjesë, nëse 28-ta është vetëm për pavarësinë, apo edhe për çlirimin. Ne sapo bëmë edhe 5 volume për Historinë e Shqipërisë. E ndarë historia në Shqipëria, e ndarë politika në Shqipëri, natyrisht kjo ka koston e saj se ku na gjen ky 111-vjetor. Politika në Shqipëri ka radikalizuar shoqërinë, e ka polarizuar, ka nxitur ekstremet, duke bërë që shoqëria të jetë e ndarë edhe për datat historike, edhe për simbolet. Ka ende shumë punë për t’u bërë”.
Lidhur me marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, Kalemaj shprehet:
Asnjë pritshmëri në fakt. Marrëdhëniet janë jo ekzistente. Nuk flasim për marrëdhënie bashkëpunimi, por edhe marrëdhënie komunikimi. Ne pamë që në korrik të këtij viti Rama shkoi në Prishtinë, nuk u prit nga z.Kurti. E njëjta gjë ka ndodhur sot me z.Kurti në Tiranë, ku kishte protokoll të ndarë në stadium. Gjuha e trupit të z.Kurti tregon që ai s’ka dashur të komunikojë me z.Rama. Përgjegjësia kryesore në raport me të dy ka qenë e Ramës sepse ai ka qenë iniciator i Ballkanit të Hapur, në kurriz të Kosovës, Malit të Zi, Bosnjës, projekt që dështoi. Ka qenë mbështetës i ndryshimit të kufijve pavarësisht s’e as ajo s’u materializua as ajo. Ka ndërhyrë si paternalist në çështjet në Kosovë, se s’është rastësi që s’ka pasur marrëdhënie as me Mustafën, as me Haradinajn, as me Kurtin, as me Osmanin, vetëm me Hashim Thaçin ka pasur marrëdhënie përtej komunikimit të zakonshëm politik. Tirana në rastin më të mirë ka ushqyer rol paternalist në raport me Kosovën, ndoshta s’po guxojmë të themi që ka bërë edhe pazare në kurriz me Kosovën. Z.Kurti ka mbajtur një qëndrim më dinjitoz në raport me elektoratin e tij, në raport me shtetin e tij, është sjellë më shumë si shtetar në këtë marrëdhënie asimetrike”.
Sipas politologut ka rrezik që çështja “Beleri” të ndikojë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Marrëdhëniet bilaterale nuk shihen me sy të mirë nga Berlini dhe Parisi nëse frenojnë proceset e integrimit në kurriz të një shteti. Por ana tjetër e medaljes është që Greqia nuk po e bën aktualisht veton e Shqipërisë për çështje kardinale si delemitimi i detit, apo të drejtat e pakicave. Mënyra se si po e ngre, është që atë nuk kërkojnë lirimin e Belerit nga burgu me vendim politik, por po kërkojnë që të betohet si kryetar bashkie në zgjedhjet që ka fituar dhe mandej drejtësia të thotë fjalën e fundit. Me sa duket z.Rama ia ka premtuar Mitstotakis-it, ose i ka marrë garanci që kandidatura e Belerit nuk paraqiste asnjë problem. Rama ka thënë që s’është ngritur çështja e dosjes së tij penale, ai është një person aktiv në politikë, nuk ka një sfond nacionalist pas, por klientelist në lidhje me pronat e bregdetit. Ka rrezik, sepse “Ekathemerini” tregonte që Greqia s’kishte firmosur, duhet të firmosin 27 vendet anëtare, në lidhje me çeljen zyrtare të negociatave me Shqipërinë, ndërkohë që ka përfunduar procesi Screening”.
Duke folur mbi procesin “Screening” dhe negociatat për integrim në BE, Kalemaj thotë:
Procesi ‘Screening’ më shumë na shërben që të kemi një fotografi. Ne kemi arritur të transplantojmë në legjislacionin tonë pjesën më të madhe të legjislacionit të BE. Në letra jemi në rregull, problemi është te implementimi. Ajo që kemi nevojë përtej pjesës simbolike është që të çelen negociatat, të shtohet llogaridhënia. Do rritet llogaridhënia e qeverisë. Duhet një burim i jashtëm kontrolli që të kufizon fondet”.
Kalemaj vuri në dukje se “fakti që Shqipëria dhe Rama e kanë trajtuar si një proces tërësisht normal marrëdhënien e tyre me Serbinë, madje duke folur si një aks franko-gjerman, duke anashkaluar Kosovën si të ishte një Alsace–Lorraine, pa kuptuar kontekstin gjeo-politik dhe kërcënimet e sigurisë që i bëhen këtij shteti të ri, nga sovraniteti, garantimit të kufijve e kështu me radhë, janë në rastin më të mirë elifmatrak, apo amatorizëm politik, në rastin më të keq një situatë që vë në rrezik situatën e Kosovës”.



