Hetimet paraprake të prokurorisë kanë zbuluar se së paku 4 banka të nivelit të dytë kanë pasur nga shitje kredish deri tek raporte me rrjetin e mikrokredive dhe mbledhësve të borxheve goditur pak ditë më parë.

Emisioni “FactCheck” ka mundur të sigurojë vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila me kërkesë të prokurorisë ka goditur rrjetin e vjedhjes së pronave të shqiptarëve me argumentin e borxhit që ata kanë nga bankat.
Nga hetimet e prokurorisë rezulton se banka e nivelit të dytë si “ProCreditBank”, “AlphaBank”, “Raiffasen” dhe “Banka Kombëtare Tregtare” është origjina e skemës së vjedhjes dhe abuzimit me qytetarët, pasi kreditë që ata kanë marrë afro dy dekada më parë tek kjo bankë u janë shitur institucioneve jo banka dhe mbledhësve të borxhit.
Por sa është numri i qytetarëve të cilët kanë përfunduar në duart e personave që sipas hetimit të Prokurorisë kanë kryer vjedhjen?
Referuar dosjes së siguruar nga “FactCheck” thuhet “Ndaj kontratës se kalimit te kredive datës 11.08.2015, ne date 13.01.1016, është nënshkruar ky akt nga “Bankës ProCredit” sh.a dhe shoqërisë Micro “Credit Albania” sh.p.k. Palët janë dakordësuar që “Micro Credit Albania” sh.p.k të marrë në dorëzim nga “Banka ProCredit” sh.a, dokumentacionin e gjeneruar nga sistemi CË.Net i Bankës. Palët bien dakord që Ceduesi (banka ProCredit) po cedon te Cesionari (Micro Credit Albania) në total një numër prej 3999 kredish , me një shume prej 7 .299.203 euro. Bashkëlidhur këtyre akteve janë anekset me listat e kredive për te cilat janë dorëzuar dokumentet.
Edhe pse rastet e personave që kanë rënë pre e kësaj skeme janë me qindra e mijëra, mekanizmi është i njëjtë thotë vendimi siguruar nga “FactCheck”.
Për sa sipër vërehet se kredia e dhënë nga “Micro Credit Albania” sh.p.k në datë 08.10.2015, është dhënë në kushtet e mashtrimit. Kjo për faktin se “Micro Credit Albania” sh.p.k, ka qenë në dijeni të pamundësisë financiare të likuidimit nga ana e debitorëve T.H dhe DH.H. Këta shtetas kanë qenë të regjistruar në regjistrin e kreditorëve të këqij nga Banka e Shqipërisë. Referuar akteve dhe deklarimeve provohet se vjedhja është kryer në kushte e mirëbesimit, duke mashtruar subjektet se me marrjen e kredisë tek MCA për të likuiduar kredinë e mëparshme do të kishin kushte lehtësimi në pagesën e kësteve. Ky fakt me vonë nuk ka rezultuar i tillë, por ka rënduar akoma edhe më shumë gjendjen financiare të subjektit debitor.
Fakt tjetër qe provon këto veprime te paligjshme, është se veprimet janë kryer ne bashkëpunim nga MCA, me shoqërinë përmbarimore dhe me përmbaruesen Jordisa Dervishi. Ky fakt vërehet se nga përmbaruesja është vendosur pushimi menjëherë pasi shuma e kredisë është likuiduar.
Pjesë e kësaj skeme janë edhe të tjera banka, ku referuar së njëjtës dosje për afro 17000 individë thuhet se “Nga aktet hetimore e konkretisht nga ankesat e shoqërisë OSHEE rezulton se ish-përmbaruesit e “Shërbimi Përmbarimor ZiG” kanë ende 434 çështje/dosje përmbarimore të pa dorëzuara, Nga informacioni i administruara prej “Alpha Bank Albania” dhe “Banka Kombëtare Tregtare” rezulton se ish-përmbaruesit e “Shërbimi Përmbarimor ZiG” kanë ende 323 çështje/dosje përmbarimore të pa dorëzuara. Në total rezultojnë se, janë mbi 5 700 dosje/çështje përmbarimore të pa dorëzuara, me akte - aktive përmbarimore që kanë prekur dhe vijojnë të rëndojnë direkt mbi interesat pasurore të shtetasve në një numër palësh të përfshira me mbi 17 000 individë.
Emrat për të cilët gjykata ka miratuar masa sigurie janë:
1 -“Arrest në burg” për shtetasin Aldo Daka
2 - “Arrest në burg” për shtetasin Albert Gega.;
3 - “Arrest në burg” për shtetasin Edmond Mato.;
4 - “Arrest në shtëpi” për shtetasen Kejda Seferi;
5 - ‘Arrest në shtëpi’ për Elda Ibro- administratore e Micro Credit Albania
6 – "Arrest në shtëpi’ për shtetasen Jorsida Dervishi.;
7 – “Arrest në burg” për shtetasin Arben Meskuti.;
8 – “Arrest me burg” për shtetasin Alban Kote.;
9 – “Arrest në shtëpi” për shtetasen Alketa Tanushi.
Kompanitë që qëndrojnë pas këtyre emrave janë: Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH



