
Avokati Kujtim Cakrani tha në studion e MCN Live se amnistitë penale në Shqipëri bëhen për propagandë politike.
Po ashtu Cakrani tha se është diskriminues fakti që personat e hetuar nga SPAK nuk përfitojnë nga amnistia.
Amnistitë në Shqipëri bëhen për propagandë politike. Fakti që në Shqipëri sot ministri i Drejtësisë po e propagandon si sukses të qeverisë së tij, kjo nuk është më sukses. Ajo do të votohet dhe nga opozita. Ata që do përfitojnë janë të larmishëm në bindjen e tyre. Në Shqipëri amnistitë janë bërë radhë. Në vendet demokratike bëhen shpeshherë dhe për shkak të kërkesave që bëjnë organizatat. Burgjet në Shqipëri janë në kolaps, janë të mbipopulluara. Të paraburgosurit kanë kaluar numrin e të burgosurve. Ka kaluar çdo limit. Amnistia është domosdoshmëri edhe për mbipopullimin në burgje. Drejtoria e Burgjeve nuk interesohet për mënyrën si trajtohen të burgosurit. Kemi dhe një defekt tjetër, organizatat ndërkombëtare, por edhe ato në Shqipëri, nuk i inspektojnë kurrë institucionet e ekzekutimeve penale.



